Skandali më i madh i EULEX

01/11/2014 00:00

Për superskandalin që ka përfshirë EULEX-in, në lidhje të drejtpërdrejtë nga studioja e Top Channel në Prishtinë ka qenë gazetari Vehbi Kajtazi i “Koha Ditore”, njeriu që zbuloi nga e hëna e deri më sot këtë superskandal, duke sjellë nga dita në ditë fakte të reja.

Pandi Gjata: Përshëndetje nga Tirana dhe përgëzime për punën e bërë për këtë ngjarje kaq të madhe e të rëndësishme që ka përfshirë Kosovën. Si arrite të zbulosh dhe të biesh në gjurmët e detajeve të para të këtij skandali dhe sa kohë të është dashur të punosh për këtë ngjarje?

Vehbi Kajtazi: Unë jam gazetar terreni dhe në kontakt të përditshëm me njerëzit, kontakte këto që më kanë çuar deri në informacione të ndryshme. Ky nuk është skandali i parë që kam zbuluar, por është një nga më të mëdhenjtë, që ka tronditur tashmë Bashkimin Europian. Më është dashur një punë jo e lehtë për të siguruar informacionet, e më pas për t’i përpunuar, verifikuar dhe për t’i botuar ato. Kam pasur kontakte me njerëz, të cilët dëshirojnë të bëhen publikë, mbi të gjitha këto skandale që nëpër zyra burokratike mbahen të fshehura për muaj e vite të tëra. Informacionet i kam siguruar jo më shumë se përpara 3 javësh, e prej asaj kohe kam punuar për verifikimin e tyre, t’i përpunoj, të intervistoj njerëz të ndryshëm, ndërsa të hënën ka nisur edhe seria e parë e botimeve. Deri më sot janë publikuar 6 seri, ndërkohë që pritet të ketë edhe shkrime të tjera.

Pandi Gjata: A keni pritur që efekti i këtij skandali të merrte përmasa të tilla? Le të themi se deri më sot mund të quhet edhe si superskandali i EULEX-it, që nga momenti kur ky mision ka nisur punën në Kosovë. Madje, faktet që ju keni publikuar, i ka pohuar për publikun një prokurore britanike e pezulluar, e cila ka thënë edhe që ky skandal mund të marrë edhe përmasat e Wikileaksit, duke qenë një Julian Assange i dytë në Kosovë.

Vehbi Kajtazi: Të them të drejtën nuk e kam pritur gjithë këtë ndikim, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Informacionet që ne kemi botuar tregojnë për një përfshirje të gjerë të zyrtarëve të lartë të EULEX-it, në kontakte të ndryshme me ata që quhen sekserë dhe më kurdisje të proceseve gjyqësore, marrje ryshfeti, takime të ndryshme me politikanë, ndikime politike në procese gjyqësore, dhe të gjitha këto konfirmohen me anë të disa përgjimeve telefonike të kryera normalisht me urdhër gjykate në disa raste hetimore. Këtë skandal dhe përmasat e tij nuk besoj se mund t’i ketë pritur as Bashkimi Europian, as vet EULEX-i. Gjatë bisedave që kemi pasur me ta, ata janë përpjekur ta minimizojnë sa më shumë këtë ngjarje apo skandal, por në fakt është dëshmuar se përmasat e korrupsionit në këtë mision janë shumë më të mëdha, teksa priten të dalin dita-ditës edhe informacione të tjera, që do të bëjnë në fakt të mos mbyllet ky rast. Prokurorja Maria Bamieh është në Kosovë prej vitit 2007 dhe e njoh personalisht atë, e kam takuar në gjykata gjatë proceseve gjyqësore. Sa i përket punës së saj, është një prokurore shumë e suksesshme, ka humbur vetëm 2 raste deri më tani dhe të gjitha të tjerat i ka fituar, mirëpo është akuzuar me pa të drejtë se këto materiale m’i ka ofruar mua, gjë që nuk është e vërtetë. Hera e parë që e kam takuar atë ka qenë të hënën, kur është publikuar seria e parë e shkrimeve. EULEX dhe BE kanë ndërmarrë disa veprime që sipas meje janë skandaloze, duke e pezulluar sapo kanë marrë konfirmime se shkrimi do të botohej në “Koha Ditore”. Ende pa u botuar asnjë shkronjë nga ky skandal, ata e kanë pezulluar atë me arsyetimin se ka nxjerrë informacione, por kjo shihet si një përpjekje për t’i frikësuar burimet e mia të informacionit, njerëzit që bashkëpunojnë me mua.

Pandi Gjata: Vehbi, keni thënë se ju jeni kërcënuar përpara botimit të këtyre shkrimeve në gazetën ku ti punon… Nga e hëna e deri më sot, a jeni ndjerë i kërcënuar, keni marrë mesazhe kërcënuese? Them këtë sepse nuk ke tronditur vetëm Kosovën, por edhe strukturat e Bashkimit Europian.

Vehbi Kajtazi: Besoj se puna më e vështirë është ajo deri në nisjen e botimit të një hulumtimi të tillë. Nga dita e botimit e deri më sot nuk kam pasur kurrfarë problemi, përveç disa përpjekjeve të EULEX-it që në njëfarë forme të ndikojë në gjithë këtë histori dhe të më nxjerrin mua si një lloj gënjeshtari. Që prej deklaratave të para të tyre, ata kanë thënë se unë nuk jam kërcënuar apo shantazhuar nga zyrtarë të EULEX-it, gjë që nuk është e vërtetë. Përpara botimit të këtij shkrimi, të enjten e kaluar unë kam takuar këshilltaren kryesore të shefit të EULEX-it, Gabriele Meuçi, në zyrën e saj, ku kam biseduar për rreth gjysmë ore. Unë kam shkuar në këtë takim duke menduar se do të diskutojmë si për ngjarjet e tjera, por në atë takim mua më është kërkuar që dokumentet që zotëroj t’ua jap atyre. Kur refuzova të bëja diçka të tillë, ata kanë kushtëzuar kthimin e përgjigjeve për skandalin dhe në një moment ajo më tha se, nëse botohen materiale të tilla kaq të rëndësishme dhe nën hetim, duhet ta kem parasysh se mund të ndiqem penalisht. Nuk jam frikësuar, por jam larguar nga ai takim, e bëra edhe publik të gjithë presionin e ushtruar nga EULEX ndaj meje dhe “Koha Ditore” dhe detaje të këtij takimi që unë i kam pasur me zyrtarë të EULEX-it, duke thënë se posedoj prova për këtë.

Pandi Gjata: Vehbi, është një nga ngjarjet që ka brenda akuza për korrupsion, për nepotizëm, vë në pikëpyetje drejtësinë përgjatë këtyre viteve, ndoshta edhe për një sërë çështjesh për të cilat janë dhënë verdiktet, por një tjetër gjë e rëndë është se dokumente dhe materiale sekrete të EULEX-it kanë rënë në duart e Shërbimit Sekret të Serbisë.

Vehbi Kajtazi: Në hulumtimin e sotëm që ka dalë në “Koha Ditore”, unë kam publikuar detaje se si një zyrtar i EULEX-it i kishte dhënë informacione sekrete Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA. Për këto informacione të dhëna nga një zyrtar serb që punonte asokohe në EULEX, dhe tashmë është anëtar i subjektit politik “Srpska”, që është bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, dihej me emër e mbiemër se kush i kishte nxjerrë dhe kujt ia kishte dhënë ato informacione. Informacionet kishin përfunduar në duart e Shërbimit Sekret serb dhe kishin të bënin me disa raste hetimore, që Policia e Kosovës po kryente ndaj një grupi që ofronte parà deri në 100 mijë euro për ofrimin e dëshmive të rreme kundër ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për heqjen e supozuar të organeve. Për këtë skandal, EULEX ka pasur dijeni që në vitin 2009, por ish-shefi i komponentit të drejtësisë së EULEX kishte refuzuar të niste një hetim, pavarësisht se edhe këto prova ia kishte ofruar prokurorja Maria Bamieh. Ai kishte thënë se nuk mund ta hetonin këtë rast, për arsye se mund të hidhërohet Serbia. Përmasat e këtij skandali të sotëm, që dalin informacione kaq të ndjeshme dhe përfundojnë në duart e një shërbimi sekret të huaj për punën e organeve hetimore në Kosovë, dhe mosgjurmimi i këtij rasti, tregon se ky mision nuk ka pasur seriozitet për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Pandi Gjata: Besoj se je nga njerëzit dhe njohësit më të mirë të këtij skandali me përmasa të mëdha të EULEX-it, deri më sot që ne flasim… Nga sa është thënë dhe nga sa pritet të thuhet për këtë mision europian të vendosjes së ligjit në Kosovë, a besoni se ky mision është me shumë pikëpyetje për të ardhmen dhe a mund të çojë drejt mbylljes së tij?

Vehbi Kajtazi: Ky mision ka mandat edhe për dy vite të tjera, jo të plota, por unë e konsideroj këtë mision të dështuar. Edhe më herët, gjatë punës time, kam raportuar se shumica e rasteve të korrupsionit janë mbyllur duke u shpallur njerëzit e pafajshëm, pavarësisht se kishte prova të mjaftueshme për kryerjen e veprave penale. Në disa raste, për keqpërdorim fondesh deri në 60 milionë euro, njerëzit janë dënuar me dy vjet burg me kusht, duke mos shkuar asnjë ditë në vuajtje të dënimit për dëme kaq të mëdha që i kanë shkaktuar vendit. Përfshi edhe gjithë këtë skandal, ku është përfshirë kryeprokurorja e EULEX-it, kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, e vë në dyshim jo vetëm të ardhmen e këtij misioni tani e tutje, por edhe gjithë punën e kryer deri më tani. Mendoj se do duhej të verifikohej e gjithë ajo punë, pasi tani vihet në pikëpyetje kredibiliteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendosjen e drejtësisë në secilin rast.

Pandi Gjata: Kjo është një ngjarje që sapo ka filluar dhe do të marrë vëmendjen e të gjithëve, e do të ketë shumë të reja. A mund të na zbulosh për teleshikuesit tanë se çfarë rezervon numri i ardhshëm i “Koha Ditore” për të shtunën dhe dy detaje të shpejta për shkrimin që njerëzit do të lexojnë vetëm pas pak orësh?

Vehbi Kajtazi: Të shtunën do të botohet një ngjarje, se si kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Jonathan Ratel, kishte ndikuar në mbylljen e një hetimi për vepra penale kundër 10 personave, kryesisht biznesmenë dhe deputetit Azem Syla, që akuzoheshin për krim të organizuar. Në këtë proces gjyqësor, dëshmitari kryesor është zoti Nazim Bllaca, por kryeprokurori kishte refuzuar kërkesat e dy prokurorëve që zhvillonin hetimin ta merrnin në pyetje Bllacën si dëshmitar, i cili ka të dhëna të mjaftueshme për procesin e privatizimit në Kosovë, një proces i mbushur plot me krim e korrupsion. Përmasat e këtij skandali që kanë përfshirë zyrtarë të Bashkimit Europian, prokurorë e gjyqtarë, që ne këtu i kishim pritur krahëhapur, pasi shpresonim që do të ndikonin në përmirësimin e jetës në Kosovë, duke luftuar krimin dhe korrupsionin. Por po shihet se jo vetëm që nuk janë luftuar këto dy fusha, por edhe vet ata janë bërë pjesë e këtyre skandaleve, duke u bërë miq të afërt me politikanët e dyshuar për krim e korrupsion.

Top Channel