Tirana me maska për Halloween

01/11/2014 00:00

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Tirana, ku prej orësh kanë nisur të lëvizin njerëz me maska, që simbolizojnë festën e Halloweenit, e cila festohet prej vitesh në Shqipëri, gazetarja Lira Burgija ka dhënë një përmbledhje të atmosferës së festës, që ka kapluar të rinjtë e kryeqytetit në këtë mbrëmje të fundit Tetori.

E ndodhur në një nga “club”-et e shumta të kryeqytetit, ku si çdo vit festohet Halloweeni mbrëmjen e 31 Tetorit, Lira ka folur pikërisht për këtë festë që kujton shpirtrat e të vdekurve dhe të martirëve, një festë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por që është përqafuar edhe nga shumë vende të tjera.

“Teksa vija për në këtë club, pashë shumë të rinj të veshur me veshje identifikuese të kësaj feste dhe me maska, duke nisur nga ato më të frikshmet, te ato më qesharaket apo më sensuale, duke u veshur si Pokahontas. Shumë të rinj e të reja kanë lënë mënjanë angazhimet e tyre të ditëve normale, për të festuar këtë festë, për të cilën janë shpenzuar disi për blerjen e veshjeve apo maskave”.

Të rinjtë në fakt bëjnë gjithçka munden në këtë ditë, për të dalë e për të festuar, por duke u kujdesur në maksimum për të mos u identifikuar dot nga të njohur të tjerë, me të cilët mund të ndeshen. 31 Tetori për ta shihet si një mundësi e mirë për të fshehur identitetin dhe për t’u sjellë si personazhe të tjera. Ka edhe të rinj apo të reja që shfaqen në këtë ditë me maska veneciane, duke mos preferuar të jenë të “frikshëm”, por të promovojnë dekoret e mrekullueshme të maskave nga Venecia e Italisë.

Top Channel