BE s’do t’i njohë zgjedhjet në Donjeck e Luhansk

01/11/2014 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë të ditur Presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike, se zgjedhjet e planifikuara për të dielën në Lindje të Ukrainës janë jolegjitime dhe nuk do të njihen nga liderët europianë, lajm ky i konfirmuar nga një zëdhënësi i qeverisë gjermane të premten.

Merkel dhe Putin kanë zhvilluar një videokonferencë ku merrnin pjesë edhe Presidenti francez, Francois Hollande, dhe ai ukrainas, Petro Poroshenko, bëri të ditur zëdhënësi i Merkelit, Georg Streiter, gjatë një konference për shtyp të qeverisë gjermane.

Ai tha se gjatë telefonatës ka pasur opinione të ndryshme mbi “të ashtuquajturat zgjedhje” të së dielës, në Republikat e vetëshpallura Popullore të Donjeckut dhe Luhanskut.

“Merkel dhe Hollande nënvizuan faktin se mund të zhvillohen vetëm një palë zgjedhjesh në respekt të ligjeve ukrainase”, tha ai, duke shtuar se votimi do të shkelte një marrëveshje të nënshkruar nga Rusia dhe do të komplikonte më tej përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në Lindje të Ukrainës.

“Qeveria gjermane nuk do t’i njohë këto zgjedhje ilegjitime”, tha zëdhënësi i Merkelit. Liderët europianë ishin të bashkuar mbi këtë çështje dhe kanë rënë dakord për këtë, që në samitin e fundit të zhvilluar javën e kaluar në Bruksel.

Mbi 3700 njerëz janë vrarë përgjatë luftimeve në Ukrainën lindore, ku rebelët prorusë synojnë bashkimin me Rusinë. Një armëpushim i brishtë vijon të jetë në fuqi që prej 5 Shtatorit, por gjithsesi ka pasur disa raste episodike të luftimeve mes rebelëve dhe forcave qeveritare.

Një protokoll prej 12 pikash, i nënshkruar pas bisedimeve në fillim të Shtatorit në kryeqytetin bjellorus, Minsk, i cili përfshinte Rusinë, Ukrainën, Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) si dhe liderët e separatistëve, parashikon zhvillimin e “zgjedhjeve të parakohshme lokale” në Lindje, në respekt të plotë të legjislacionit ukrainas.

Top Channel