“Peshmergat” futen më në fund në Kobanë

01/11/2014 00:00

Një autokolonë me forca kurde nga Iraku kaloi gjatë orëve të vona të së premtes kufirin nga Turqia drejt Sirisë, për të ndihmuar kurdët sirianë të mbrojnë qytetin e rrethuar të Kobanës, që ka qenë në fokusin kryesor të luftës së mbështetur nga Perëndimi kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Sulmet ajrore të udhëhequra prej SHBA-ve kanë goditur pozicionet e Shtetit Islamik përreth Kobanës më herët gjatë ditës, në atë që shihet si përpjekje për t’i hapur rrugë kontigjentët kurd të armatosur rëndë për të hyrë në qytet.

Luftëtarët kurdë irakianë, të njohur edhe si “Peshmerga” (ata që sfidojnë vdekjen), kanë dalë menjëherë nëpër rrugët e qytetit duke brohoritur e duke bërë shenja fitoreje me më shumë se disa dhjetra kamionë dhe fuoristrada, të shoqëruara nga mjete të blinduara dhe me artileri të rëndë.

“Kemi kaluar më në fund kufirin”, tha një luftëtar “peshmerga” në një lidhje telefonike për Reuters. Numri i këtyre forcave është rreth 150, disi i vogël në dukje, por ata kanë sjellë armë dhe municione. Mbërritja e tyre shënon të parën herë që Turqia ka lejuar trupa tokësore nga jashtë Sirisë të përforcojnë kurdët sirianë, të cilët kanë qëndruar në mbrojtje të Kobanës prej më shumë se 40 ditësh.

Me futjen e “peshmergave” në kufi, një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në zonën e Kobanës, në atë që rezulton i fundit i një serie shpërthimesh, të cilat simbolizojnë intensifikimin e luftimeve.

Pavarësisht se nuk ka ndonjë domethënie të rëndësishme strategjike, Kobana është bërë një simbol i fuqishëm ndërkombëtar në betejën kundër xhihadistëve të linjës së ashpër të muslimanëve sunitë, ISIS, të cilët kanë pushtuar rajone të tëra në Irak e Siri, duke deklaruar edhe krijimin e një “kalifati” islamik.

Top Channel