Itali, Gentiloni zëvendëson Mogherinin e larguar drejt BE-së

01/11/2014 00:00

Kryeministri italian Matteo Renzi ka emëruar Paolo Gentilonin, një aleat i afërt dhe ish-ministër i Komunikacionit, si ministrin e ri të Jashtëm të Italisë, në atë që konsiderohet si një vendim surprizues i kësaj të premteje.

Gentiloni, i cili është betuar brenda natës së të premtes te Presidenti Giorgio Napolitano, zëvendëson kështu Federica Mogherinin, e cila u largua nga kjo Ministri gjatë javës për t’u bërë kryediplomatja më e re e Bashkimit Europian, apo siç njihet Shefe e Politikës së Jashtme të BE-së, në vend të Catherine Ashton.

Si ministër i Jashtëm, Gentiloni, një anëtar i lartë i Partisë Demokratike të kryeministrit Renzi, do të luajë tashmë një rol kyç përgjatë këtyre dy muajve të mbetur të Presidencës italiane në BE, e cila përfundon më 31 Dhjetor.

Ai përballet me detyrën e vështirë të të trajtuarit të çështjes së furnizimeve me gaz nga Rusia drejt Italisë, tepër e varur nga gazi rus, si dhe duhet të mbajë lidhjet me vendet e tjera për çështje si ajo e emigracionit.

Italia ka bërë thirrje prej një kohe të gjatë ndaj BE-së për të ndarë me vendet e tjera anëtare koston financiare dhe barrën sociale, me të cilat vendi i Apenineve përballet për shkak të mbërritjes së emigrantëve dhe refugjatëve ilegalë në brigjet jugorë të saj, nga Afrika apo Lindja e Mesme.

Gentiloni, 59 vjeç, nuk është i njohur në qarqet politike ndaj dhe nuk ishte përmendur aspak si një kandidat i mundshëm për këtë post gjatë javëve të fundit. Renzi kishte shprehur dëshirën e tij për ta zëvendësuar Mogherinin me një tjetër femër, për të ruajtur barazinë gjinore në kabinetin e tij prej 16 anëtarësh.

Gentiloni është anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, në Dhomën e Ulët, si dhe flet mirë anglisht, por nuk është i njohur si një specialist i diplomacisë ndërkombëtare. Zgjedhja e tij duket se ka qenë një kandidat kompromisi i arritur pas takimit të Renzit me Napolitanon, të enjten, për të diskutuar mbi pasardhësin e Mogherinit.

Top Channel