Real për rekorde ekipore, Barça për rekordet e Messit

01/11/2014 00:00

Real Madridi i drejtuar nga Carlo Ancelotti është shumë pranë thyerjes së rekordeve të klubit, teksa përgatiten për ndeshjen ndaj Granadas, ndaj së cilës kërkojnë fitoren e 11 radhazi në të gjitha kompeticionet.

Nëse Madridi mposht, ashtu siç pritet, Granadan, e cila ka marrë vetëm 1 pikë nga 5 ndeshjet e fundit, të besuarit e Ancelottit do të jenë vetëm 4 fitore larg barazimit të një rekordi, i cili është arritur vetëm 2 herë gjatë historisë së lavdishme të gjigantëve spanjollë.

Ekipi i Miguel Munoz e arriti për herë të parë këtë rekord prej 15 fitoresh radhazi në sezonin 1960-61, përpara se sa ekipi i Jose Mourinhos ta përsëriste gjatë edicionit 2011-12.

Grupi aktual i Realit i ka të gjitha shanset ta thyejnë këtë rekord, pasi në 6 ndeshjet e ardhshme presin kundërshtari si Granada, Rayo Vallecano, Eibar dhe Malaga (në kampionat), ndërkohë që do të përballen me Liverpoolin dhe Baselin (në Champions) ndaj të cilëve ka fituar 3-0 dhe 5-1 në ndeshjet e para në grup.

Ndërkohë, Barcelona mund të përballet me një sfidë të vështirë ndaj Celta Vigos së vendit të 6, ku Lionel Messi mund të thyejë një tjetër rekord, atë të golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave në La Liga.

Në këtë ndeshje, Luis Suarez do të ketë mundësinë të prezantohet edhe përpara fansave të tij katalanas, pasi debutoi përpara një jave në “El Clasico”-n kundër Realit, vetëm pak orë pas skadimit të pezullimit të tij për shkak të atij kafshimi në Botëror, ndaj Chiellinit.

Top Channel