Haradinaj: Përçarja e bllokut, interes i PDK-së

01/11/2014 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinj ka thënë se nuk ka përçarje brenda Bllokut paszgjedhor. Ai tha se këto janë shpikje të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ne jemi në komunikim të rregullt me kryetarin Mustafa edhe me kolegët e tjerë të LDK-së, ashtu siç jemi me Nismën dhe Vetëvendosjen. Gjithçka është në përputhje me ato që bisedojmë në takimet tona. Kuptohet që ka një interes të madh të palës kundërshtare, në këtë rast PDK-së, që të shpikë ndonjë përçarje apo ta nxisë atë. Por do të ishte më mirë për ta të kujdeseshin për të thirrur seancën, pasi e kanë detyrim ligjor dhe po ashtu të shfrytëzojnë të drejtën për nominim. Pra, bëhet fjalë për një proces të zakonshëm të konsultave tona”, deklaroi Haradinaj.

Ai shtoi se po mbledhin nënshkrimet që në fillim të javës së ardhshme, në formë kërkese, t’ia dërgojnë Flora Brovinës për thirrjen e seancës.

I pyetur lidhur me miratimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2015, Haradinaj ishte i prerë në përgjigje. “Kjo s’ka nevojë për koment. Të miratosh me 36 vota buxhetin e 120 deputetëve nuk ka nevojë për koment”, u shpreh kreu i AAK-së.

Në fund ai shtoi se do të ishte mirë që seanca, kurdo që të mbahet, të sjellë zgjidhje. Këtë deklaratë Haradinaj e bëri të shtunën pasi bëri homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, me rastin e ditëlindjes së tij.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar në rrjetin social Facebook se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nuk mund të bëhet pafundësisht pengesë për formimin e qeverisë.

“Qeveria e përbërë nga LDK, AAK dhe Nisma, në marrëveshje me VV dhe me përfshirjen e pakicave, do të jetë qeveri e qëndrueshme dhe efikase në synimet e saj për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit dhe të partneritetit ndërkombëtar. Ditët që vijnë do të jenë ditë të reflektimit tonë politik që vendi të bëhet me qeverinë që meriton”, ka shkruar Mustafa.

Top Channel