Halloween, çifti Obama priti 4.500 të ftuar në Shtëpinë e Bardhë

01/11/2014 00:00

Tradita e Halloweenit ka marrë vëmendjen maksimale nga miliona njerëz në mbarë botën. Këtë vit Shtëpia e Bardhë organizoi një festë në mbremjen e 31 tetorit, për të cilën presidenti Obama ishte shprehur se mezi po e priste.

Mirëpo Barack nuk mundi t’i rezistonte një keku me çokollatë me emrin “I Djallëzuari”, i përgatitur posaçërisht për festën, të cilin e bleu që në orët e drekës.

“Puna është se ky kek me kaq shtresa çokollate duket të jetë shumë I djallëzuar, mirëpo është një lloj mëkati që ne na lejohet ta kryejmë për Halloween. Por jo, unë nuk do ta ha të gjithin për vete”, tha Obama.

Ndërsa përsa i përket vajzave të tij Malia, 16 vjeç dhe Sasha 13, Obama me humor u shpreh: “Ato duan të jenë princesha. Madje edhe kur sillen si shtriga, u pëlqen t’i quash princesha magjistare”.

Në festën e organizuar nga Shtëpia e Bardhë morën pjesë rreth 4.500 vetë, duke përfshirë jo vetëm fëmijët e ushtarëve amerikanë por edhe fëmijët e shkollave të zonës përreth.

Ambjentet e kopshtit gjigand ishin zbukuruar me dekore të posaçme për Halloween, ku numëroheshin rreth 1.000 kunguj si zbukurime. Veshjet dhe grupet animatore ishin nga më të ndryshmet, si superheronj, piratë, ushtarë e shumë të tjerë.

Ndërsa qentë e familjes presidenciale, Boo dhe Sunny, ishin veshur si klloun cirku. Këtë vit u vu re edhe një shumëllojshmëri ëmbëlsirash të shpërndara për ritualin e Halloweenit “Tricks or Treat”.

Shtëpia e Bardhë çdo vit harxhon një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për festa nga më të ndryshmet, e aq më tepër për ato të cilat kanë si kryefjalë argëtimin dhe jo se duhen zhvilluar si një proces i detyruar i protokollit.

Top Channel