Ebola, Kanadaja pezullon aplikimet për viza

01/11/2014 00:00

Kanadaja do të pezullojë aplikimet për vizë për banorët e vendeve të Afrikës Perëndimore, të përfshira nga virusi i Ebolës.

Kjo lëvizje vjen pas një vendimi të ngjashëm të marrë nga Australia, që u kritikua ashpër nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Pezullimi do t’u aplikohet vendeve që kanë një përhapje të madhe të virusit dhe transmetim intensiv të tij mes njerëzve”, deklaroi administrata kanadeze.

Liberia, Sierra Leone dhe Guinea po luftojnë për të vënë nën kontroll Ebolën, që deri tani ka vrarë rreth 5 mijë persona. OBSH saktësoi të premten se 4.951 persona kanë vdekur që nga rënia e virusit, ndërsa 13.567 janë të infektuarit prej tij deri më 29 tetor.

Edhe pse në Kanada deri tani nuk janë verifikuar raste të Ebolës, autoritetet deklaruan se, “hyrja dhe përhapja e virusit do të përbënte një rrezik serioz për shëndetin publik”.

Një zëdhënës qeveritar deklaroi se vendimi është më pak kufizues se ai i ndërmarrë nga Australia, pasi do të mund të ofrojë vizë për raste që mund të konsiderohen jetike.

Vendimi nuk përfshin shtetasit kanadezë që udhëtojnë nga zonat e prekura nga Ebola, në mënyrë që punëtorëve vullnetarë t’u lejohet kthimi në shtëpi.

Kanadaja nuk ka linja direkte fluturimi nga vendet e Afrikës Perëndimore dhe numri i vizitorëve nga këto shtete mësohet të jetë i vogël.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e kundërshton opsionin e ndalimit të udhëtimit, me argumentin se dekurajojnë punëtorët vullnetarë.

Edhe shefi i OKB-së, Ban Ki Moon e cilësoi një ditë më parë si të papranueshëm diskriminimin e punonjësve shëndetësorë që kthehen në atdhe nga vendet e prekura nga Ebola në Afrikën Perëndimore.

Ban deklaroi se, rregullat e rrepta të karantinës po dënojnë përpjekjet për ndihmë në një kohë kur nevojiten sa më shumë punonjës për të frenuar virusin.

Top Channel