Mijëra grekë, anëtarë të më shumë se 1 mijë sindikatave të nënpunësve të sektorit shteteror dhe atij privat nga i gjithë vendi, kanë vërshuar në rrugët e Athinës duke iu drejtuar sheshit të Parlamentit në një protestë të re kundër masave të qeverisë.

Mitingu, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se 20 mijë persona, është organizuar nga lëvizja punëtore PAME, që mbështet Partinë Komuniste.

Organizatorët kishin si qëllim t’i çonin qeverisë së koalicionit mesazhin se punëtorët dhe të papunët nuk pranojnë të jetojnë me thërrime.

“Rezistencë, luftë dhe aleancë të vazhdueshme që të kemi gjithnjë në mënyrë që të qëndrueshme punë me kohë të plotë për të gjithë punëtorët”, deklaroi Dhimitris Koutsoumbas, lider i PKK për ‘Reuters’.

Kërkesat kryesore të protestuesve ndaj qeverisë kanë qenë rivendosja e rrogës minimale prej 751 eurosh dhe e pensionit minimal në 600 euro, rritja e asistencës sociale për të papunët në 600 euro, rikthimi i pagës së 13 dhe të 14, si dhe heqja e taksës së banesave.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të lëvizjes sindikaliste, një pakicë prej 1% e grekëve zotëronte para krizës 54,1% të pasurisë së vendit dhe katër vjet më pas kjo shifër është rritur në 56.1%.

Protesta e re, që i paraprin grevës së përgjithshme të 27 nëntorit, është zhvilluar në një moment kur qeveria greke pret rikthimin e ekspertëve të Trojkës, të cilët kanë kërkuar përsëri me këmbëngulje vazhdimin e reformave dhe masave shtrënguese, siç janë reduktimet e mëtejshme të pagave dhe pensioneve.

“Ne jemi ata të cilët përditë po paguajnë çmimin e këtyre masave shtrënguese. Familjet tona kanë arritur tashmë në kulmin e varfërisë. Mjaft më!”, tha Theodoros Kiriakidhis, një i papunë nga Selaniku.

Sipas Institutit Kombëtar të statistikave, famijet greke kanë humbur më shume se 14 miliardë euro gjatë vitit të kaluar, si rezultat i reduktimeve të të ardhurave dhe të ndihmave sociale. Gjatë katër viteve të krizës kjo shumë ka shkuar në gati 48 miliardë euro.

Top Channel