Parandalohet arratisja në burgun e Peqinit

01/11/2014 00:00

Në burgun e Peqinit është parandaluar arratisja e katër të dënuarve, falë hetimeve dhe pastaj ndërhyrjes së autoriteteve të këtij qyteti.

Sipas informacioneve të zyrtarëve lokalë, plani i arratisë është zbuluar përmes një hetimi të prokurorisë së rrethit dhe agjentëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Sipas burimeve, hetuesit kanë mbikëqyrur aktivitetin e pesë gardianëve të burgut dhe një personi jashtë tij, që ndihmonte të dënuarit në planin e tyre.

Falë një pune intensive është bërë i mundur zbulimi i planit dhe shmangia e arratisë, saktësojnë burimet, sipas të cilave 5 gardianët e burgut kanë përfunduar në pranga.

Madje, prokuroria nuk ka vonuar t’i kërkojë gjykatës masën e “arrestit me burg” për ta, nën akuzën e “krijimit të kushteve të arratisë” për të dënuarit.

Të burgosurit që do të tentonin arratinë sipas autoriteteve janë shtetasit: Admir dhe Genc Tafili, Gëzim Guri dhe Fran Marashi.

Ndërsa punonjësit e burgut të arrestuar: Abedin Hitaj, Petri Marnoj, Avni Bica, Gëzim Behluli, Bilbil Ymeri. Të 5 këta akuzohen për “shpërdorim detyre”, “falsifikimit dokumentesh”, “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. I arrestuar është edhe shtetasi Jetmir Guzi, si personi që ndihmonte nga jashtë të dënuarit.

Top Channel