Serie A, Juve shkëputet nga Roma, Interi bie në Parma

02/11/2014 00:00

Juve përfiton nga hapi i gabuar i Romës dhe, pasi mposht 2-0 Empolin, nis sërish arratinë në krye të Serie A.

Skuadra e Allegrit, edhe pse zhvilloi një pjesë të parë të vështirë, ka mundur të bëjë gjithçka në të dytën, kur Pirlo zhbllokoi rezultatin me një goditje dënimi, ndërsa Morata më pas e feston debutimin e tij si titullar në kampionat me golin e dytë, me një gjuajtje në kthesë e sipër me të majtën.

Për bardhezinjtë një fitore e vlefshme, që bën edhe kthesën pas asaj humbjeje të papritur me Genoan në mesjavë, e për më tepër përpara sfidës me Olympiacosin për Champions League, të cilën Allegri e ka quajtur si decizive, për kalimin e grupit ose mbetjen jashtë turneut prestigjioz.

Ndërkohë, në ndeshjen e darkës, për javën e 10 të kampionatit italian, Interi është mposhtur 2-0 nga Parma në “Tardini”. Për emilianët ka shënuar dy herë De Ceglie, mbrojtësin ish-juventin që shënon nga një gol në secilën pjesë.

Në golin e dytë pati faj edhe Handanovic, ndërsa për skuadrën e Donadonit këto janë 3 pikët e dyta në 10 kampionat, pas një fillimi problematik ku kanë pësuar plot 8 humbje.

Top Channel