Humb jetën minatori në galerinë e minierës

02/11/2014 00:00

50-vjeçari Jonuz Nela ka humbur jetën në minierën e Bulqizës mëngjesin e së dielës. Burimet zyrtare në polici tregojnë se aksidenti ka ndodhur në nivelin e nëntë të pusit A2, ku minatori punonte si sinjalist dhe manovrues në transportin e brendshëm të kësaj miniere.

Trupi i pajetë i 50-vjeçarit i cili kishte qenë në minierë gjatë  turnit të tretë është zbuluar nga kolegu i tij, i cili pasi ka dhënë sinjal nuk ka patur asnjë përgjigje. Ekpertët e Prokurorisë do të merren me zbulimin e këtij aksidenti pasi  trupi i pajetë i 50-vjeçarit Nela është gjetur mbi ashensor ku mendohet të ketë rënë poshtë në kollonën e pusit rreth 300 metra.

Jonuz Nela kishte punuar në minierë për mbi 20 vite në pozicionin e sinjalistit dhe manovruesit, sektori i transportit të brendshëm. Vetë kompania menaxhuese e minierës bën të ditur se punëtori është gjetur rreth 200 metra larg vendit të tij të punës. Minatorët janë shprehur se minatori kishte probleme me shëndetin dhe aksidenti mund të ketë ardhur edhe si pasojë e humbjes së kontrollit.

Megjithatë, kompania bën të ditur se nga testi i parë i kontrollit shëndetësor vikitma rezulton të mos ketë patur probleme.

Hyrja në këtë sektor u bllokua për të mundësuar hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Top Channel