Zgjedhjet në rajonet rebele në Ukrainë

02/11/2014 00:00

Separatistet pro-rusë në lindje të Ukrainës po mbajnë zgjedhjet e tyre parlamentare dhe presidenciale, të denoncuara nga Perëndimi si “të paligjshme”.

Reagimet e ashpra jashtë kufijve pak kanë ndikuar mbi këtë vendim të rebelëve që kanë marrë nga ana tjetër mbështetjen e Moskës. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi hapur ditë më parë se Rusia do ta njohë rezultatin e votimeve në dy republikat e vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Blloku Europian e kanë bërë të qartë se për ta, këto zgjedhje janë ilegjitime. Liderët rebelë arsyetojnë se si rajone të pavarura nuk janë të detyruar të zbatojnë ligjin ukrainas ndaj dhe nuk morën pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të Ukrainës javën e kaluar. Tre milionë fletëvotimi janë përgatitur për votimet në Donjeck e Luhansk, të cilat do të shërbejnë për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentëve dhe parlamenteve të tyre.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse do t’i japin legjitimitet pushtetit tonë dhe do të na ofrojnë distancim më të madh nga Kievi”, u shpreh Roman Lyagin, kryetar i Komisionit Elektoral, Donjeck.

Liderët perëndimorë dhe ministrat ukrainas shprehen se dy territoret në fjalë duhet t’i qëndrojnë armëpushimit të arritur edhe me “ok”-in e Rusisë e të zhvillojnë zgjedhje lokale në muajin dhjetor, ashtu siç e dikton ligji.

Megjithë marrëveshjen e armëpushimit, incidentet e  izoluara me armë kanë vazhduar në lindje të Ukrainës. Përleshjet në rajon u kanë marre jetën mbi 3,700 personave, dhe që prej së premtes, janë vrarë në luftime 7 ushtarë ukrainas.

Top Channel