Aksidenti nuk frenon turizmin hapësinor

02/11/2014 00:00

Do të duhen më shumë se 12 muaj për të zbardhur shkaqet e aksidentit të anijes turistike hapësinore, të rrëzuar të premten në Kaliforni. Por, ndërkohë që hetimi vazhdon, kompanisë “Virgin Galactic” i lejohet të zhvillojë teste të mëtejshme fluturimi, e pohuar kjo nga vetë kreu i agjencisë amerikane të sigurisë së transportit, Christopher Hart.

“Ekipi ynë e përfundoi ditën e parë të plotë të hetimit dhe, për katër deri në shtatë ditë, do të kontrollojë të dhënat e marra në terren. Pjesët e anijes ishin shpërndarë në një zonë me gjatësi 5 milje, nga njëri skaj fundor në tjetrin. Fluturimi testues është shumë mirë i dokumentuar dhe të gjitha informacionet, qoftë dhe ato më të detajuarat, do të kontrollohen me imtësi, çka do të thotë se hetimi i plotë mund të zgjasë për rreth 12 muaj”, tha Christopher Hart, kryetar i agjencisë së sigurisë së transportit.

Janë disa elemente, megjithatë, të cilët sipas Hart do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme, e për të cilët do të komunikohet me “Virgin Galactic”. “SpaceShipTwo” shpërtheu pak pas ngritjes në ajër dy ditë më parë.

Piloti 43-vjeçar, Peter Siebold, arriti të shpëtonte duke përdorur katapultën, por piloti i dytë, Michael Alsbury, 39 vjeç, nuk pati të njëjtin fat. Alsbury, me një eksperiencë fluturimi 15-vjeçare, humbi jetën në këtë incident.

Kreu i “Virgin Galactic”, Richard Branson, u shpreh i vendosur të gjejë shkakun e episodit fatkeq dhe, në një konferencë shtypi të mbajtur të shtunën, miliarderi britanik e përshkroi sigurinë si prioritetin kryesor të programit të tij, por nuk diskutoi asnjë hollësi nga aksidenti i hetuar prej zyrtarëve të transportit federal.

Më pas, ai do të pohonte për BBC-në se askush nuk i nënvlerëson rreziqet e udhëtimit në hapësirë, e shtoi se kjo ishte një ditë e tmerrshme për “Virgin Galactic” e një hap i madh prapa. Kompania shpreson të nisë në 2015-n udhëtimet hapësinore komerciale, e deri tani ka marrë mbi 700 prenotime me nga 250.000 dollarë secili.

Top Channel