Rumunët i drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, një proces që me të gjitha gjasat do të katapultojë në krye të shtetit shefin e ekzekutivit, Viktor Ponta.

4 janë kandidatët kryesorë në garë, mes të cilëve edhe një pjesëtar i pakicës gjermane në Rumani, Klaus Johannis, nga Aleanca Kristian-Liberale. Ky i fundit angazhohet para së gjithash, për qëndrimin e vendit në bashkësinë e vlerave europiane, ndërsa në fushatën e tij elektorale bënte përgjegjës pikërisht kryetarët rajonalë të Partisë Socialdemokrate të Pontas, të cilësuar edhe si  “baronë” të mjerimit ekonomik dhe politik.

Këto zgjedhje, të zhvilluara në kohë krize për Rumaninë dhe nën kërcënimin e “Putinizimit” të Europës Lindore, kanë të bëjnë sidomos me sistemin e vlerave europiane, shtetin ligjor dhe pyetjen nëse demokracia e re rumune është e kërcënuar.

25 vjet pas rrëzimit të komunizmit, shoqëria rumune është ende e përçarë. Nga njëra anë, të rinj të kualifikuar me bindje liberale dhe pro-europiane, nga ana tjetër elektorati konstant i socialdemokratëve ish-komunistë (PSD).

Për të lënë pas kandidatin Johannis, i cili paraqitet me profesionalizëm, Ponta mbështetet në tone të majta nacionaliste dhe fundamentaliste. Duhet të jetë e lejuar që të kandidojë në vendin “e tij” si rumun ortodoks, thotë Ponta, për t’u distancuar qartë nga Johannis, që është protestant.

“Ai është krenar që është rumun”, me këtë slogan elektoral ai nxit emocione kundër pakicave etnike dhe fetare. Ekonomia e Rumanisë ka shënuar rënie në dy tremujorët e fundit të 2014-s, duke bërë që vendi të rrëshqasë sërish në recesion. Veç kësaj, Rumania është tronditur dhe nga një sërë skandalesh korrupsioni, qarqet e të cilave arrijnë deri te krerët e PSD dhe në mjedisin familjar të kryeministrit.

Top Channel