PD: Arrestime me dëshirën e Ramës

02/11/2014 00:00

Në një deklaratë për mediat, Keltis Kruja, deputet i Partisë Demokratike, denoncoi arrestimin e Bujar Brovinës duke deklaruar se ky rast tregon se “aksioni policesk i Edi Ramës” është kthyer në një “gjueti shtrigash”.

“Sot jemi para një rasti të pastër të linçimit që po i bëhet qytetarit Bujar Brovina, i cili prej 72 orësh mbahet në arrest burgu pa asnjë provë ligjore. Edi Rama e paraqiti në publik si trofe, si rastin e abuzimit me energjinë, por ekspertët që kanë bërë kontrollin në banesën e tij nuk kanë konstatuar asnjë shkelje. Është gjetur humbje në rrjet në një përqindje të papërfillshme”, deklaroi zoti Kruja.

Deputeti shtoi se zoti Brovina do të dalë tashmë para gjykatës “e cila gjendet çdo minutë nën presionin e Edi Ramës për të mos zbatuar ligjin, por trillet dhe vijën e tij politike. Rasti i Brovinës, është shembull i instalimit të shtetit policor që nuk merr parasysh provat dhe ligjin, por vepron sipas porosive të shefit të madh. Nëse sot ka ardhur dita që veprohet bazuar mbi dyshime dhe fjalë, atëherë lind pyetja: pse policia nuk arreston shtetasin Edi Rama, për të cilin ka të dhëna, që kanë dalë edhe në media, se vjedh energjinë në sarajet e tij në Surrel?”

Top Channel