Pesë punonjës të OSHEE-së në Korçë kanë përfunduar në pranga pasi kanë abuzuar me detyrën.

Burime zyrtare në polici deklarojnë se elektricistët kanë përpiluar procesverbale fiktive për ndërprerjen e energjisë elektrike për biznese private në qytetin e Korçës dhe të Devollit.

Për një nga të arrestuarit, gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë me burg për një afat 20-ditor, pasi ka ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike dhe ka ndryshuar numrat e tij.

Të arrestuarit kanë kryer lidhje dyfishe të energjisë elektrike dhe kanë ndryshuar procesverbalet zyrtare.

Ndryshe nga qytetarët e thjeshtë që dënohen deri në 3 vjet për vjedhjen e energjisë, ligji parashikon që punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes të përballen me një dënim më të ashpër që shkon deri në 5 vjet heqje lirie, nëse ata kapen duke bashkëpunuar në vjedhjen e saj.

Ndërkaq, gjatë mesditës të së dielës, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën detyrim paraqitje për Bujar Brovinën, anëtar në Këshillin Kombëtar të PD-së dhe ish-drejtor i Qytetit Studenti. Të njëjtën masë sigurie ka kërkuar edhe Prokuroria.

Bujar Brovina u arrestua këtë të enjte, pasi iu gjetën tre lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në vilën e tij 3 katëshe.

Në një njoftim për shtyp Policia e Shtetit ka bërë të ditur shifrat e aksionit për ndërprerjen e lidhjeve abuzimeve të energjisë elektrike gjatë ditës së diel.

Sipas policisë janë arrestuar dhe ndaluar 11 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike dhe shpërdorim detyre, 5 prej tyre janë me detyrë Elektriçist dhe punonjës të OSHEE. Gjithashtu janë ndërprerë 305 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë.

Top Channel