Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar gjatë këtyre ditëve ka prishur rreth 1800 objekte pa leje në kryeqytet, të cilat ishin ndërtuar duke zaptuar hapësirat publike.

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, tha se aksioni i INUK-ut do të vijojë në të gjithë vendin për të rikthyer pranë qytetarëve hapësirat publike.

“Ndërtimet pa leje, kryesisht në Tiranë, lulëzuan gjatë mandatit të demokratëve në krye të Bashkisë e të cilat më pas legalizoheshin nga qeveria e kaluar. Me pak fjalë, Luli nxiste zaptimin e hapësirave publike e Saliu i legalizonte. Fatmirësisht, falë punës së qeverisë aktuale dhe INUK-ut, hapësirat po i rikthehen qytetarëve. Këtë e kemi parë në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Janë 138 mijë metra katrorë sipërfaqe e çliruar në Tiranë, Durrës, Elbasan e Lushnje. Nga të cilat mbi 100 mijë metra katrorë sipërfaqe e çliruar janë vetëm në Tiranë.

Deputetja e Partisë Socialiste akuzoi opozitën se në vend që të mbështesë operacionin e INUK-ut mbështet ata që kanë ndërtuar duke shkatërruar hapësirat publike. Sipas saj, ka qenë ky qëndrim që ka mbështetur zaptimin e hapësirave urbane.

Ndërkohë, operacionet po zhvillohen jo vetëm në qytet. Në Durrës, fadromat kanë zbritur në plazh ndërsa në Lushnje operacioni vazhdon përgjatë autostradës. Aksioni i nisur prej disa ditësh është përqendruar tek ato objekte të cilat janë ndërtuar pa respektuar asnjë lloj largësie nga autostrada.

Deri më tani janë prishur rreh 36 objekte që jane kryesisht lokale pa pika karburanti. Pas përfundimit të prishjeve në aksin Rrogozhinë-Lushnje ai do të vijojë në Lushnje-Fier ku janë parashikuar të prishen një numër i madh objektesh.

Top Channel