Rama dekoron Robert Papavramin

02/11/2014 00:00

Qeveria ka dekoruar profesorin e Akademisë së Arteve Robert Papavramin, babain e violinistit me famë botërore Tedi Papavrami.

Në fjalën e tij, kryeministri citoi një letër shfajësimi për mospjesëmarrjen në ceremoni të Tedit, të tretit të Papavramëve të suksesshëm, siç tha ai, ndërkohë që Robertin e quajti një ndër themelet e shkollës shqiptare të violinave.  

Duke thyer sërish protokollin pas rastit të Ermonela Jahos me këtë dekoratë që i rezervohet vetëm kryetarëve të shteteve apo të qeverive, kryeministri Edi Rama the se nderon një shqiptar të madh me një kontribut të madh në art dhe kulturë.

“Të dorëzoj këtë medalje e cila shpreh të gjithë nderimin dhe dashurinë e njerëzve për ty”, tha kryeministri.

Jo pa humor, vetë profesor Robert Papavrami komentoi dekorimin: “Kur isha i vogël isha çuni i doktor Papavramit. Kur u bëra profesor vetë shumë pak vite më thërritën “profesori” pasi gjithë jeta më pas më shkoi duke më njohur si babai i Tedit. Kështu paska qenë e shkruar për mua.”

Top Channel