ISIS, vrasje masive dhe shkatërrime

02/11/2014 00:00

Militantët e ISIS-it i janë rikthyer vrasjeve në masë me ekzekutimin e të paktën 50 pjesëtarëve të të njëjtit fis në provincën perëndimore të Anbarit. Burra e gra bashkë janë vënë në rresht prej xhihadistëve, të cilët më pas i kanë ekzekutuar për shkak se u kishin bërë rezistencë.

Më herët gjatë javës u gjetën në një varr masiv trupat e pajetë të një sërë personave të cilët i përkisnin po fisit Al Bu Nimr. Ndërkohë, AFP-ja duke cituar Observatorin Sirian të të Drejtave të Njeriut, thotë se 100 luftëtarë të Shtetit Islamik janë vrarë përgjatë tre ditë luftimesh për kontrollin e qytetit strategjik të Kobanës. Të premten, 150 peshmerga kurdë kaluan kufirin me Turqinë për t’iu bashkuar mbrojtësve kurdë të qytetit që i kanë rezistuar ofensivës së ISIS-it për 6 javë.

UNESCO sakaq shprehet e shqetësuar për trashëgiminë kulturore të Irakut që po shkatërrohet sipas saj në mënyrën më barbare të mundshme prej militantëve të Shtetit Islamik. Irina Bokova thotë: “Jemi të tmerruar nga niveli i shkatërrimit të trashëgimisë sumere të tempujve, faltoreve, xhamive, kishave dhe trafikimit të paligjshëm të objekteve të tyre. Dua të përcjell një mesazh të fortë për mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit kulturor, fetar dhe etnik të popullit të Irakut. Irakianët kanë jetuar së bashku në tolerancë për qindra vjet dhe në shekullin e XXI këtë spastrim kulturor ne nuk mund ta pranojmë.”
 
Artefaktet e lashta irakiane kanë nisur të shfaqen në tregun e zi ndërsa militantët e ISIS-it janë duke përdorur ndërmjetës për të shitur thesaret e paçmuara në mënyrë që të financojnë aktivitetin e tyre.

Top Channel