Alarmi i ndryshimeve klimaterike

02/11/2014 00:00

Përdorimi i pakufishëm i karburanteve fosile duhet të marrë fund sa më shpejt nëse duam të shmangim ndryshime të rrezikshme të klimës.

Ekspertët e panelit ndërqeveritar të ndryshimeve klimaterike (IPCC) e kthyen këtë në mesazhin qendror të raporteve të tyre më të fundit. Organizmi kërkon që deri në 2050-ën, pjesa më e madhe e energjisë elektrike në botë të prodhohet nga burime me nivele të ulëta karboni, ndërsa karburantet fosile sipas tij, duhen përjashtuar nga përdorimi thuajse krejtësisht.

Raporti sintezë u publikua në Kopenhagen pas një jave diskutimesh intensive mes shkencëtarëve dhe zyrtarëve qeveritarë. Aty pohohet se pa një aksion të efektshëm ndaj karbonit, bota përballet me pasoja të rënda, depërtuese e të pakthyeshme të klimës.

Karburante fosile janë ato të formuara në tokë nga mbetjet bimore ose shtazore, siç është  qymyri, nafta e gazi natyror.

Specialistët këmbëngulin tek ideja e përdorimit të energjisë së gjelbër, të cilën e konsiderojnë çelësin e shpëtimit nga një situatë pa kthim. Nëse bota dëshiron të vazhdojë në rrugën e rritjes së temperaturës mesatare nën 2 gradë celsius, deri në fund të shekullit, atëherë 2050 duhet ta gjejë me përdorim tre apo katër herë më të ulët të karbonit, thonë drejtuesit e IPCC-së.

Tre raporte të mëhershme të panelit, të publikuara brenda 13 muajve të kaluar, kanë nxjerrë në pah shkaqet, impaktin dhe zgjidhjet e mundshme për ndryshimet klimaterike. Qëllimi i tyre është informimi sa më i mirë i opinionit publik, por mbi të gjitha ai i politikanëve të angazhuar në përpjekjet për vulosjen e një traktati të ri të klimës deri në fund të vitit 2015.

Top Channel