Ka ndërruar jetë në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës muzikologu i shquar shqiptar, Albert Paparisto. Shuarja e tij në moshën 90 vjeçare ka ndodhur për shkaqe natyrore.

Profesor Paparisto do të mbahet mend si themeluesi i Konservatorit Shqiptar dhe si një ndër drejtuesit e parë të Teatrit të Operas e Baletit. Disa prej krijimeve të tij muzikore janë bërë pjesë e teksteve shkollore dhe vepra klasike të repertorit tonë muzikor.

Albert Paparisto u diplomua për muzikologji në vitin 1956 nga Konservatori Çajkovski i Moskës, nën drejtimin e të famshmit Dmitri Shostakoviç. Diploma e tij me notat shkëlqyeshëm u botua në gazetën kryesore të Moskës.

Më 1958 ai u bë drejtor i Teatrit të Operas e Baletit, ndërsa në janar 1962 themeloi Konservatorin Muzikor të Tiranës si drejtor i parë i tij. Profesor Paparisto ishte themeluesi i kritikës muzikore shqiptare dhe i njihet merita se përgatiti një numër të madh muzikologësh, të cilët më vonë do të punonin jo vetëm si pedagogë, por edhe si kritikë muzikorë.

Në një kohë kur nga autorët kërkohej që veprat e tyre të pasqyronin bindje të caktuara politike, muzika e Paparistos ishte e paindoktrinuar, ajo tingëllonte e thjeshtë dhe e shkruar për njerëzit e të gjitha epokave. Për këtë arsye, disa nga veprat e tij janë kthyer në pjesë e përhershme e repertorit të artistëve shqiptarë.

Top Channel