F1, Hamilton një hap larg titullit

02/11/2014 00:00

Britaniku Lewis Hamilton arriti të fitojë garën e pestë radhazi në këtë kampionat të Formula 1. Piloti i Mercedes u rendit i pari edhe në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shoku i tij i skuadrës, gjermani Niko Rosberg edhe pse u rendit i pari në provat zyrtare nuk arriti të përballojë presionin e ushtruar nga Hamilton, i cili kreu parakalimin në mesin e garës.

Një vend në podium në garën e Austin arriti edhe Daniel Ricciardo, i cili zhvilloi një garë mjaft të mirë. Piloti spanjoll i Ferrarit, Fernando Alonso zuri vendin e 6-të, pas tij u rendit kampioni në fuqi i botës, Vettel. 

Menjëherë pasi kaloi i pari në finish, Hamilton nuk nguroi të falenderonte në radio ekipin e tij për punën e bërë.

Vetëm dy gara para fundit të kampionatit, britaniku Hamilton e sheh veten në kuotën e 316 pikëve, me një diferencë prej 24 pikësh nga shoku i skuadrës, Niko Rosberg.

Top Channel