Tragjedi në Bosfor, mbytet varka me klandestinë

03/11/2014 00:00

Tragjedi në ngushticën e Bosforit, ku një varkë me dhjetëra klandestinë në bord është mbytur mëngjesin e kësaj të hëne.

Sipas mediave ndërkombëtare, peshkatarë dhe roje bregdetare kanë arritur që të shpëtojnë pesë persona, ndërsa kanë nxjerrë në breg edhe trupat e 10 personave të pajetë, shumica prej të cilëve fëmijë. Ndërkohë që rreth 30 persona janë shpallur të zhdukur.

“Pamë trupa të mbyturish. Foshnje, fëmijë…arritëm të nxjerrim në breg disa trupa të pajetë”, thotë i tronditur një peshkatar.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare mësohet se roja bregdetare është njoftuar për ngjarjen, pasi anija është mbytur, në një distancë rreth 3 milje larg bregut.

Pas marrjes së alarmit, një anije bregdetare dhe 7 motovedeta, shoqëruar nga një helikopter shpëtimi. Megjithatë ende nuk mund të thuhet zyrtarisht se sa klandestinë udhëtonin me varkën e tragjedisë.

Shumë emigrantë ilegalë nga Afrika dhe Lindja e Mesme po e përdorin Turqinë si rrugë kalimi për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian, duke udhëtuar me mjete tërësisht të pasigurta.

Top Channel