Një artiste në lotin e rikthimit

03/11/2014 00:00

Aleksandër Cipa: Këtë fundjavë, në qytetin e Vlorës, unë përjetova një ndër ngjarjet dhe ditët më të bukura të jetës. Nuk lidhet me një gëzim personal dhe familjar, por thjesht u bëra pjesë e një momenti të ndritshëm respekti dhe vlerësimi për polifoninë, poezinë dhe traditën kulturore të Himarës, Labërisë dhe Vlorës në përgjithësi.

Po përuronim me tim at dhe tim bir, librat tanë. Por më e kuptimtë për mua është dhurimi i disa albumeve me poezi të përgatitura nga aktori i shumënjohur, Bujar Asqeri, me poezi të tim eti, Lefterit. Bashkë me këtë, në skenën e teatrit “Petro Marko” pas gati 20 vjetësh rikthehesh Grupi i Pilurit. Natyrisht, jo i plotë. Ai e ndali krijimtarinë diku nga mesi i viteve ‘90. Për shkak se gati 40 për qind e pjesëtarëve të tij u shpërndanë në jetën e ashpër të tranzicionit dhe kryesisht në emigracion. Një shuarje e pakohë dhe e paarsye. Kishin investuar mbi 45 vjet rresht jetë dhe veprimtari në disa breza, duke krijuar një fond dhe pasuri fonoteke të pashembullt dhe unike në llojin e vet.

Në takimin e organizuar në Vlorë me rastin e botimeve tona nën siglën “Autorët etër dhe bij”, kishte mbërritur me disa prej pjesëtarëve të grupit, këngëtarja Ermioni Mërkuri. Nuk ishte me të kësaj here polifoni Qirjako Bala, as i mëparshmi këngëtar Vangjel Gjicali.

Qirjako, kthyesi më jetëgjatë i Grupit të Pilurit, për të cilin ekspertët e kantos dhe të mjeshtërisë vokale shtojnë njëzëri se kemi të bëjmë me një rast të pastudiuar dhe të pavëzhguar “laboratorikisht” ka pak vite që gjendet në jetën e amëshuar. Ai ishte model i zërit të fshehur në fytyrën e zeshkët si floriri në thellësitë e galerisë. Një zë i tillë i rrallë gjendet sot edhe në trupën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, që i përket këngëtarit Hyso Xhaferi. (Për kujtesë dhe vëmendje të lexuesve, e kam fjalën për atë zërin që përdoret si introdukt vokali te kënga e njohur e grupit “West side family”, e cila të shëmbëllen se vendos një lidhje mes Qiellit dhe Tokës. Maestro Zhani Ciko para pak kohësh shprehej se zëri i tij është unik dhe një pasuri krenuese për trupën tonë profesioniste.

Por natyrisht, sikundër është lënë në “shejtninë e tij” të heshtjes, pra pa u komentuar prej studiuesve apo mjeshtreve të fenomeneve vokale, zëri i Hysos, në një heshtje të tillë, më shumë se 20-vjeçare, është edhe e talentuara dhe virtuozja Ermioni Mërkuri. Solistja, të shtunën e saposhkuar në Vlorë, riktheu emocionet e larta e të thella te disa qindra të pranishëm me këngën e vet, të cilën e pati kënduar mbi 30 vjet më parë, “Këngët e Atdheut tim”.

Tek ajo, por sidomos te zëri i saj, ishte ndalur koha. E kishte pritur rikthimin në skenë me dhimbjen e pengun e gjatë të të mosqenët në jetën e artit dhe të këngës shqiptare, në atdhe, ashtu siç mund ta vuajë ndërprerjen një profesioniste pa status. Prej gati 22 vjetësh jeton në Selanik të Greqisë në jetën e emigrantes modeste. Ka ikur në fatin e vet social, duke mbyllur në heshtje dhe vaj të brendshëm shpirtëror, zërin dhe talentin e vet unik. Një zgjedhje për të cilën, nuk mund të fajësohet askush dhe natyrisht as shteti. Fatin individual të përditshmërisë dhe jetës e zgjedh dhe administron vetë njeriu.

Por tek artistët, kjo zgjedhje edhe mund të ndryshohet(!).

Ermionit i kanë mbetur ende jetë dhe forcë kënge, interpretimi dhe sidomos krijimi e zotësia vokale. Muzikantë e kompozitorë të gjendur në atë skenë ku u rikthye Ermioni në Vlorë, si akademik Vaso Tole, mjeshtri dhe instrumentisti i shquar i Gjirokastrës, studiuesi Naxhi Kasoruho apo kompozitori në moshë të re, Klodian Qafoku, mund të shprehen dhe vlerësojnë me gjuhën e statusin e tyre profesional, atë ç’ka ka ruajtur dhe mbart ende kjo këngëtare unike e polifonisë shqiptare.

Mirëpo Ermioni, nuk do të mbesë më aty ku gjendet, në jetën e arratisur të emigrantes. Ajo e do zërin e vet për këngën dhe “simfoninë” unike të polifonisë shqiptare. Prej kësaj dhe rastit në fjalë, por sidomos me shkas prej vlerësimit që Kryeministri Edi Rama i bëri profesorit unik të shkollës së violinës në Shqipëri, maestro Rober Papavramit, mund të vijohet më tej me një operacion rikthimesh në atdhe të emrave dhe emblemave të larguara të mjeshtërisë së artit shqiptar.

Në fillesë të qeverisjes së të majtës, disa emra me kontribut dhe investim në hapësirën dhe tregun kulturor ndërkombëtar u rikthyen si drejtues të institucioneve tona kombëtare kulturore si në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative etj. Por kaq nuk mjafton. Është koha që tranzicioni përzënës për shkaqe ekonomike të artistëve, duke qenë në fundin e shpresuar, le të sfidohet me akte të mëtejshme rikthimi artistësh aktivë dhe me mundësi për të shtuar në korpusin e tyre artistik, pjesën e re dhe më të matur të krijimtarisë së tyre. Kjo pasuron dhe freskon jo vetëm frytet e artit dhe interpretimit, por mbi të gjitha, bashkëshoqëron dialektikën me referencën e më të mirëve që nuk mund të jetojnë më gjatë kohën e ndërprerjes apo “burgosjes në arratinë e fatit social”. Koha e të qenët i “arratisur” e bashkuar me atë të investuar te të tjerët, mund të takohet në kohën e rikthimit me mundësinë e një shkëlqimi të ri për kulturën dhe traditën e interpretimit dhe krijimtarisë në këtë vend.

Gazeta Shqip

Top Channel