“Deri në fund kundër vjedhësve të energjisë”

03/11/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama tha se Qeveria është e vendosur të çojë deri në
fund luftën kundër vjedhësve të energjisë elektrike, duke deklaruar se
dy kategoritë që arkëtojnë rreth 100 % të energjisë janë pikërisht ato
më vulnerabël, personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët.

“Katër gropat më të mëdha janë Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Fier, aty ku është edhe aktiviteti më i madh ekonomik. Intensifikimi i operacionit do të vazhdojë aty ku është dhe aktiviteti më i madh ekonomik. Hajdutëria më e madhe vjen nga njësitë e biznesit dhe nga njësitë tregtare dhe aty ne do të vazhdojmë intensivisht pastrimin e skemës së vjedhjes në bashkëpunim me faturistët dhe me specialistët e OSHEE-së, që janë hajdutë me damkë dhe që njerëzit kanë një të drejtë të madhe, kur ngrenë zërin dhe thonë: ‘ata janë shkaku kryesor i gjithë kësaj batërdie’, një korporatë hajdutësh, e ngritur në vite të tëra, jo për të shërbyer publikun, por për të fryrë xhepat duke bërë lidhjet e paligjshme, në vend se të sigurojë që nuk ka lidhje të paligjshme”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se në kushtet e krizës që ka mbërthyer sektorin e energjisë, Qeveria kishte dy opsione, atë të heqjes së fashës mbrojtëse dhe rritjes së çmimit në mënyrë uniforme për të gjithë qytetarët.

“Ne kemi zgjedhur alternativën e heqjes së fashës, jo atë të rritjes uniforme të çmimi për të gjithë. Por ama ka një kusht dhe kushti që është që të gjithë të kuptojmë se heqja e fashës do të na mjaftojë nëse do t’i japim fund vjedhjeve dhe nëse paralelisht do të ecim shpejt dhe me cilësi për zbatimin e paketës së mbështetjes financiare, që firmosim sot. Në të kundërt, do të jetë e pamjaftueshme. Prandaj,thirrja ime për çdo qytetar, thirrja ime për të gjithë shoqërinë është, nëse duam që të mos kemi përpara më nevojë për të bërë zgjidhje shumë më të dhimbshme, duhet sot t’i dalim për zot vetes, t’i dalim për zot vendit, t’i dalim për zot ligjit dhe sensit të barazisë para ligjit në pagesën e çdo fature të energjisë elektrike”, tha Rama.

Vendimi për çmimin e ri të energjisë që do të aplikohet nga janari i vitit që vjen do të merret në muajin dhjetor. Qeveria ka paralajmëruar se çmimi i ri do të jetë një mestare e dy çmimeve aktuale, prej 7.7 dhe 13.5 lekë.

Drejtoresha për Europën Juglindore e Bankës Botërore, Elen Goldstein inkurajoi masat e marra nga Qeveria për t’i dhënë fund abuzimit me energjinë.

‘Si mund të jetë i qëndrueshëm ky sektor nëse vidhet. Qeveria duhet që të japë llogari, për investimin e duhur, pagesën, ndjekjen penale të atyre që nuk e paguajnë energjinë. Kompanitë duhet të mbajnë përgjegjësinë për cfarë shpërdorojnë, dhe individët për cfarë konsumojnë. Fasha 300 kilovat ka qenë gjithmonë element që ka lejuar abuzime dhe heqja e saj ishte domosdoshmeri. Heqja e kësaj fashe është e nevojshme që të aksesohet sistemi dhe nga të varfrit dhe ata që e përdorin”, tha GoldStein.

Top Channel