PD, akuza Qeverisë për tenderin e zbukurimit

03/11/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi sërish këtë të hënë tenderin 394 milionë lekë për vizitën e Atit të Shenjtë në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Grida Duma, publikoi detaje të tjera, që sipas demokratëve vërtetojnë skemën e ngritur nga Ministri Erion Veliaj për të përfituar nga paratë e taksapaguesve.

“Afera 394 milionë lekëshe për interesat e qeveritarëve është një dëshmi tronditëse e trajtimit të financave të shtetit si fond privat, e injorimit total të ligjit dhe procedurës.Paratë i jepen përfaqësuesit të Ministrit Veliaj, me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë, cka do të thotë shpenzohet i gjithë fondi limit. Nuk kursehet asgjë nga taksat e qytetarëve.Ndërsa vendi është në terror burgosje për dëme dhjetëmijë lekëshe, një kompani e Veliajt merr 394 milionë me një dorë për zbukurime. Ja për çfarë përdoren taksat e shqiptarëve, për pasurim dhe për karrierë, nën drejtimin e Ministrit, me mbrojtjen e Kryeministrit”, u shpreh Duma.

Top Channel