Tensione Turqi-Danimarkë

03/11/2014 00:00

Lirimi i një shtetasi turk të dyshuar se ka qëlluar me armë zjarri një shkrimtar dhe aktivist anti-mysliman danez, ka shkaktuar tensione mes Turqisë dhe Danimarkes.

27-vjeçari Basil Hassan, me origjinë libaneze, u ndalua për tentativën e vrasjes së kritikut të njohur të Islamit, Lars Hedeggard.

Nga Danimarka, ai u largua pikërisht ditën e plagosjes së shkrimtarit, qëndroi për disa kohë në Siri përpara se të arrestohej në aeroportin Ataturk të Stambollit, kur po mundohej të hynte në Turqi në muajin prill me një pasaportë falso.

Por, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme turke, Hassan u lirua në përfundim të proçedurave standarde gjyqësore. Mediat vendase thonë se fill pas kësaj, ai është larguar sërish drejt Sirisë, ku është bashkuar sërish me militantët e Shtetit Islamik.

Analistët turq besojnë se ngërçi i krijuar mes dy vendeve nuk ka gjasa të zgjidhet shpejt. Danezët, sipas tyre, janë të zemëruar e madje dhe presidenti është shprehur se kjo çështje ende nuk mund të konsiderohet e mbyllur.

Qeveria daneze synon ta përmendë episodin gjatë takimit të BE-së në fund të këtij muaji, si mjet analize për të shqyrtuar nëse Ankaraja është duke i përmbushur vërtet standardet e Bashkimit. Pakënaqësitë megjithatë janë dypalëshe.

Edhe Turqia është ankuar për faktin se një gjykatë daneze liroi javen e kaluar 10 kurdë të akuzuar për financimin e organizatës së jashtëligjshme Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, me 24 milionë dollarë.

Top Channel