Çefa përplaset me avokatin denoncues

03/11/2014 00:00

Një incident, që duket se ka marrë shkas nga një kallëzim i bërë pak javë më parë nga avokati Ndue Pjetra, ka përfunduar në Komisariatin numër 2 në Tiranë.

Avokati Pjetra ka pretenduar para togave të zeza se është goditur fizikisht nga ish-zëvendës/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, së bashku me dy persona të tjerë që e shoqëronin atë.

Sipas avokatit, sherri ka ndodhur në zonën e ish-bllokut, ndërkohë që Pjetra ka thënë në polici, ashtu sikurse edhe para mediave në dalje të Komisariatit, se gjithçka ka ndodhur për shkak se shoqata antikorrupsion që ai drejton ka bërë kallëzim në Prokurori për Elvis Çefën dhe 13 gjyqtarë të tjerë.

I kontaktuar nga Top Channel, ish-zv/kryetari i KLD-së Çefa pretendon të kundërtën.

Çefa tha për Top Channel se “nuk dëshiroj të bëj komente mbi këtë provokim rrugaçëror. Fyerjen dhe goditjen time për shkak të detyrës, së bërë ndaj meje nga një individ që e konsideron veten avokat, pres që organet kompetente ta zbardhin këtë ngjarje”, e mbylli reagimin e tij ish-zyrtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nga ana e tij pretendon në denoncimin e dorëzuar pak më parë Policisë, se ai është sulmuar nga avokati Pjetra.

Top Channel