“EULEX të hetojë korrupsionin brenda vetes”

03/11/2014 00:00

Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin ndaj zhvillimeve të fundit në Misionin Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, pas akuzave dhe kundërakuzave për përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në afera korruptive.

Organizatat thonë se, në fillimin e punës së këtij misioni, në vitin 2008, ato prisnin që ky mision të ishte kontribues i rëndësishëm për një drejtësi funksionale dhe në shërbim të qytetarëve.

“Dhe duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë potencial, shoqëria civile në mënyra të ndryshme ka dhënë mbështetjen për këtë mision, por njëkohësisht ka kërkuar edhe rezultate në punën e tij”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Por tani, sipas OJQ-ve, besimi në punën e EULEX-it është zbehur dukshëm kohëve të fundit, si rezultat i performancës së pamjaftueshme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivelet e larta.

“Aferat korruptive të publikuara në ditët e fundit janë një goditje e jashtëzakonshme në besimin publik dhe reputacionin e këtij misioni, por edhe të sistemit kosovar të drejtësisë”, thuhet në reagimin e organizatave.

Për këtë arsye, ato kanë kërkuar nga Misioni që të ndërmarrë sa më shpejt hetime të brendshme rreth aferave korruptive dhe presioneve ndaj gazetarëve.

Top Channel