Rumania duket se do të shkojë në balotazh pasi rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve presidenciale nuk kanë prodhuar një fitues të qartë.

Nga më shumë se 50% e votave të numëruara deri tani, kryeministri Viktor Ponta rezulton kryesues i garës me gati 40%, ndërsa rivali i tij kryesor Klaus Ioahannis ka mundur të sigurojë vetëm 30% të votave.

Rumunët po vendosin se kush do të zëvendësojë në krye të shtetit Traian Basescun, i cili largohet pas përfundimit të dy mandatave presidenciale.

Socialdemokrati Ponta është përfshirë shpesh herë në mosmarrëveshje edhe publike me Basescun e qendrës së djathtë, me të cilin shërbeu për gati dy vjet si kryetar qeverie.

Kryeministri 42-vjeçar u përpoq ta nxirrte presidentin si të përfshirë në skandal në vitin 2012, ndërsa Basescu nga ana e tij e akuzoi së fundmi zotin Ponta se ka qenë një oficer spiunazhi.

Nëse balotazhi konfirmohet, shefi i qeverisë do të përballet pikërisht me Ioahannis, një 55-vjeçar me origjinë gjermane, që gëzon mbështetjen e dy partive të qendrës së djathtë.

Pjesëmarrja në zgjedhje u vlerësua nën 53 për qind të popullsisë. Rumania është vendi i dytë më i varfër në Bashkimin Evropian, tek i cili aderoi në vitin 2007.

Ai konsiderohet gjithashtu si një nga shtetet anëtare me nivelin më të lartë të korrupsionit, sipas të dhënave të Transparency International.

Duke folur për agjencinë e lajmeve “Reuters”, një votues tha se ishte “i ngopur” me politikat e ndërmarra në vendin e tij. “Kur do të fillojmë të jetojmë më mirë, sepse deri tani një gjë e tillë për mua nuk ka ndodhur kurrë”, deklaroi 48-vjeçari Marin Tudose.

Top Channel