“Plot një vit më parë nisi nga funksionimi Gjykata Administrative dhe një nga qëllimet e saj ishte të jepte në kohë rekord drejtësi për qytetarët dhe bizneset. Por, edhe kjo gjykatë është prekur nga sindromi i zvarritjes së proceseve gjyqësore”.

“Çështja ime ka ardhur në këtë gjykatë që në Janar të 2014-s dhe akoma s’kam marrë drejtësi. Sot pres vendimin”, tha një qytetar.

“Kam 14 vjet për një gjyq pensioni, në fund Gjykata Civile më solli këtu. Ma kanë nxjerrë pensionin si pension kamarierësh. Kam 13 vjet që paguaj sigurime shoqërore dhe pas 1 viti te Gjykata e Tiranës më sollën këtu”, u shpreh një tjetër banor.

“Apeli më thotë ec se mos e ka Admistrativja këtu, është një amulli totale, s’di ç’të them se ç’është, më ka humbur dosja”, ankohet një tjetër qytetar.

“Nuk ka problem vetëm me zvarritjet këtu tek Administrativja, ka problem edhe me vonesën e zbardhjes së vendimeve, ankimet dhe kundrankimet. Duhet të presësh në radhë të dorëzosh një kërkesë”, tha Rudin Deda, avokat.

“Por, situata është edhe më e rënduar në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, e cila gjykon të gjitha proceset e Gjykatave Administrative të Rretheve të vendit. Aktualisht në këtë gjykatë po gjykohen çështjet e muajit Maj, ndërkohë që prej Janarit 2014, gjykata e përbërë prej 7 gjyqtarësh i lutet Ministrisë së Drejtësisë që t’i akordojë ndihmësit ligjorë, megjithatë ende nuk ka një përgjigje për këtë çështje”.

“Janë 4500 çështje të stivuara në Apel, për të cilat Gjykata e Apelit Administrativ thotë se nuk mund t’i gjykojë dot, pa na sjellë gjyqtarë”, tha Sokol Çomo.

Në Shkallën e Parë të Gjykatës Administrative, çdo ditë depozitohen 40 deri në 50 çështje për të cilat, edhe pse duhet të merrnin rrugë brenda 30 ditëve, tepër rrallë ato zgjidhen brenda këtij afati.

Ndryshimet për ligjin e Gjykatës Administrative hynë në fuqi në Shtator të këtij viti, ndërkohë që mbetet e pazgjidhur dhe është në Kushtetuese kompetenca se kush duhet t’i emërojë ndihmësit ligjorë, çështje e cila me sa duket ka sjellë edhe rrëmujën në gjykatën që u shpresua se do ishte zgjidhja.

Top Channel