Rama: 4 050 mësues pa arsim dhe jashtë profilit

03/11/2014 00:00

Në 13 dosje që i përkasin drejtorive arsimore në të gjithë vendin janë identifikuar emrat e 4.050 mësuesve të cilët japin mësim edhe pse janë jashtë profilit apo pa arsimin përkatës.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se, nga monitorimi që është bërë në gjithë vendin ka rezultuar se 26% e nxënësve, apo 177 mijë fëmijë edukohen nga këta mësues.

“Kurrësesi nuk e kisha menduar se do kishim në sistem 1.984 qytetarë pa arsimin përkatës, 2.065 mësues jashtë profilit, mësues që kanë mbaruar shkencat por që japin gjuhën e huaj. Ne nuk mund të lejojmë që mësues jashtë profilit apo, më keq akoma, pa arsim të japin mësim duke e rrumbullakosur vlerën, se mund të jetë edhe më i thellë fenomeni, në 26 për qind të fëmijëve në bankat e shkollës në Shqipëri”, deklaroi Nikolla.

Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama tha se brenda muajit dhjetor nuk do të ketë më asnjë mësues në sistemin arsimor, i cili është pa arsimin përkatës apo jashtë profilit.

“Brenda muajit dhjetor ky sistem të jetë përtokë, i rrafshuar. Asnjë mësues pa arsimin përkatës. Asnjë mësues jashtë profilit dhe asnjë mësues që nuk figuron në shkollë të mos mund t’i marrë më shtetit përmes taksave të shqiptarëve asnjë rrogë, duke filluar nga janari i ardhshëm. Të marrësh një mësues në sistem nuk është të marrësh një njeri në punë, por një misionar dhe ta bësh atë pjesë të një misioni të madh që nuk është tjetërsuar në këtë vend asnjëherë”, deklaroi Rama.

Të gjithë mësuesit do të duhet t’i nënshtrohen provimit kombëtar. Punësimi i tyre do të bëhet pas rezultateve të këtij testimi dhe më pas do të vijohet me liçencimin e tyre.

Rama tha se vitin e ardhshëm shkollor reforma e altertekstit do të thellohet, duke bërë që nxënësit, përveç tekstit bazë, i cili do të përzgjidhet me kujdes, do të kenë edhe një alternativ.

“Të zgjedhim një model të konsoliduar botërisht, nga një vend i botës ku duam të integrohemi dhe do të fillojmë, sipas planit të ministres, vitin e ardhshëm klasën e parë, të gjashtën dhe vitin e parë të të mesmes me një tekst botërisht të njohur”, nënvizoi Rama.

Reforma në arsimin parauniversitar pritet të sjellë ndryshime të mëdha në arsim por edhe në cilësinë e nxënësve shqiptarë, të cilët në testet ndërkombëtare kanë rezultuar me perfomancë mjaft të ulet.

Top Channel