Zgjedhjet për Kongresin në SHBA, republikanët favoritë

03/11/2014 00:00

Në zgjedhjet që zhvillohen të martën në SHBA, votuesit do të vendosin se cila parti do të ketë kontrollin e dhomave të Kongresit gjatë dy viteve të fundit në detyrë të presidentit Barack Obama.

Të dyja partitë kryesore po konkurrojnë ashpër për të motivuar votuesit dhe për të rritur nivelin e pjesëmarrjes në votim. Ekspertët theksojnë se përgjithësisht, avantazh në zgjedhjet e mesit të mandatit kanë pasur republikanët.

Nga ana tjetër edhe rënia e popullaritetit të presidentit Obama, siç tregojnë sondazhet, nuk po i ndihmon demokratët në terrenin politik. Megjithatë, këta të fundit këmbëngulin se kanë epërsi përsa i takon nxitjes së votuesve.

Sipas analistëve, ka pak gjasa që Dhoma e Përfaqësuesve, që është dhe dhoma e ulët me shumicë republikane, të fitohet nga demokratët.

“Duke parë historikun, partia në pushtet humb mbështetjen në zgjedhjet e pjesshme”, komenton Shaun Bowler, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë.

Partia e presidentit Obama ka fituar terren në tre nga 38 zgjedhjet e pjesshme dhe duke parë popullaritetin e ulët të tij ka pak gjasa që këtë herë trendi të ndryshojë, shton Bowler.

Për këtë arsye, e gjithë vëmendja është drejtuar tek Senati, ku republikanëve u duhet të fitojnë 6 ulëse për të rimarrë kontrollin.

Një gjë e tillë do të bënte që presidenti të humbiste drejtimin në të dyja dhomat që nga ardhja në pushtet, duke u dhënë kështu më shumë pushtet legjislativ republikanëve, por duke mbajtur njëkohësisht të drejtën e vetos ndaj projektligjeve.

Top Channel