Nju Jork, World Trade Center rihap dyert

03/11/2014 00:00

Pas më shumë se 13 vjet nga shkatërrimi i dy kullave binjake në sulmet e 11 shtatorit, World Trade Center në Nju Jork ka rihapur dyert për bizneset.

Punonjësit e gjigandit të botimeve “Conde Nast” kanë filluar të sistemohen në kullën 104-katëshe.

Për grataçelën që kushtoi 3.8 miliardë dollarë u deshën 8 vjet për ta ndërtuar dhe tani ajo është godina më e lartë në Shtetet e Bashkuara, sikurse parardhësja e saj.

Aktualisht 60 për qind e ambjenteve të saj janë dhënë me qera, me Administratën qeveritare të Shërbimeve të Përgjithshme që ka firmosur për marrjen e rreth 85 mijë metrave katrorë.

“Horizonti i qytetit të Nju Jorkut është sërish i plotë”, u shpreh Patrick Foye, drejtor ekzekutiv i Autoritetit Portual, që zotëron dhe zonën ku u ngrit ndërtesa.

Grataçela e lartë 541 metra ndodhet në qendër të zonës që pas sulmeve u quajt Ground Zero, në të cilën ndodhet edhe një memorial dhe një muzeum i hapur këtë vit.

Një kuvertë vëzhgimi në majë të saj do të hapet së shpejti për publikun. Foye shtoi se kjo ndërtesë është më e sigurta në Shtetet e Bashkuara.

TJ Gottesdiener, nga kompania “Skidmore Oëings & Merrill” që prodhoi dizajnin final, deklaroi se ndërtesa shkoi përtej kodit të ndërtimit dhe u ngrit me beton të përforcuar me çelik.

Rreth 170 punonjës të kompanisë “Conde Nast” do të hyjnë në ndërtesë këtë javë, duke mbushur kështu 5 kate. Ndërkohë, rreth 3 mijë punonjës të tjerë do të bashkohen me ta në fillim të vitit 2015.

Një hapësirë e madhe është marrë me qera edhe për kompaninë e reklamave GSA, si dhe për China Center, një hapësirë tregtare dhe kulturore.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel