Breedlove: Inkursionet ruse, provokative

03/11/2014 00:00

Një komandant i lartë ushtarak i NATO-s ka bërë të ditur gjatë së hënës se inkursionet e fundit të avionëve luftarak rusë dhe bombarduesve me rreze të gjatë në hapësirën ajrore europiane përfshijnë formacione më të mëdha dhe komplekse fluturimi, duke zgjedhur rrugë “provokuese”, ndryshe nga sa bëjnë zakonisht.

“Domethënëse është se përgjatë historisë, shumica e inkursioneve të tilla janë kryer me grupe avionësh shumë më të vogla, shpesh me vetëm 1 ose maksimumi 2 avionë”, tha Gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Philip Breedlove, i cili është edhe Komandanti suprem i Aleancës në Europë, në një informim të shkurtër përpara Pentagonit.

“Ajo që kemi parë gjatë javës së kaluar ka qenë një formacion avionësh më kompleks, të cilët kanë fluturuar shumë më në brendësi të hapësirës europiane, madje do të thoja se është një kurs fluturimi disi më provokues nga herët e tjera”, raportoi Breedlove.

Vetëm në 2-3 ditët e fundit të muajit Tetor, NATO njoftoi se ishin gjurmuar mbi 100 fluturime të avionëve rusë teksa fluturonin mbi Detin e Zi, detin Baltik, detin e Veriut dhe mbi oqeanin Atlantik, duke detyruar avionë luftarakë nga vendet anëtare të NATO-s t’i shoqërojnë ato.

Top Channel