BE shtyn vendimin për akses të “Gazpromit” tek “Opali”

03/11/2014 00:00

Komisioni Europian bëri të ditur gjatë së hënës shtyrjen e afatit përfundimtar për të vendosur, nëse do t’i japë më shumë akses Rusisë në gazsjellësin “Opal”, që kalon përgjatë Gjermanisë, nga fundi i Tetorit kur ishte parashikuar, në fund të Janarit të ardhshëm.

Eksportuesit rus të gazit “Gazprom” i lejohet aktualisht një akses i kufizuar ndaj gazsjellësit, i cili funksionon mbi bazën e ligjeve të Bashkimit Europian, e që synon të parandalojë furnizuesit e energjisë të dominojnë infrastrukturën në fjalë.

Megjithatë, ende askush nuk ka marrë përsipër kapacitetet rezervë të gazjellësit “Opal”, që ofron një lidhje mes gazsjellësit “Rrjedha e Veriut” të Rusisë, me Gjermaninë dhe Republikën Çeke.

“Komisioni ka rënë dakord me agjencinë gjermane ‘Bundesnetzagentur’ për të zgjatur afatin e marrjes së një vendimi mbi ‘Opal’-in. Arsyeja është se disa aspekte teknike kërkojnë më tepër vëmendje”, tha një zyrtar i KE-së.

Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ishte e vështirë të thuhej me saktësi se kur do të merret vendimi, por afati i ri përfundimtar është përcaktuar për në Janarin e 2015-s, e që mund të shtyhet edhe më tej.

Vendimi nëse do t’i jepet më shumë akses “Gazpromit” rus është shtyrë tashmë disa herë. Kjo e fundit vjen në një kohë kur tensionet mes BE-së dhe Rusisë janë tepër të larta për shkak të krizës në Ukrainë.

Konflikti dhe vendimi i “Gazpromit” në Qershor, për t’i ndërprerë furnizimin me gaz Ukrainës për shkak të borxheve të papaguara, ka përforcuar vendosmërinë e BE-së për të reduktuar varësinë e saj energjitike nga Rusia.

“Gazpromi” bëri të ditur të mërkurën e kaluar se kishte dështuar në arritjen e një marrëveshjeje me Komisionin Europian për gazjellësin “Opal” dhe se kërkonte negociata të reja. Në Bruksel, javën e kaluar, ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, kritikoi këtë dështim, duke e quajtur atë si një vendim politik.

Ukraina, Rusia dhe BE nënshkruan një marrëveshje të enjeten e kaluar, sipas së cilës Moska do të rinisë furnizimin jetik me gaz natyror ndaj fqinjit të saj ish-sovjetik përgjatë muajve të dimrit, në këmbim të pagesave të financuara pjesërisht nga kreditorët perëndimorë të Kievit.

Top Channel