Përdhunimi, krimi që nuk ndëshkohet

03/11/2014 00:00

Numri i vajzave që bien pre e mashtrimit dhe më pas dhunës seksuale është shqetësues. Pasdite në Top Channel solli këtë të hënë dëshminë e një 21-vjeçarje e cila u ngacmua seksualisht nga “punëdhënësi i saj”.

TCH: Sa vjeç je?

Vajza e dhunuar: 21.

TCH: Ke mbaruar ndonjë fakultet, shkollë të lartë?

Vajza e dhunuar: Po, Bachelor-in 3-vjeçar.

TCH: Punon aktualisht?

Vajza e dhunuar: Po, punoj.

TCH: Ndonjë punë që ka lidhje me profesionin tënd?

Vajza e dhunuar: Jo, për momentin ende jo. Është jashtë profesionit.

TCH: A ke përjetuar ndonjëherë dhunë seksuale?

Vajza e dhunuar: Po.

TCH: Para sa kohësh?

Vajza e dhunuar: Para dy muajsh.

TCH: Nga kush u dhunove? E njihje më përpara atë njeri?

Vajza e dhunuar: Jo, ishte i panjohur. E njoha ditën kur ndodhi përdhunimi.

TCH: Si re në kontakt me të? Si ndodhi?

Vajza e dhunuar: Po kërkoja për një punë, gjeta informacion në gazetë bashkangjitur me numrin e telefonit të personit.

TCH: Çfarë pune do të bëje ti?

Vajza e dhunuar: Puna në gazetë ishte për pastrim shtëpie, ishte paradite dhe më ndihmonte shumë nga ana ekonomike. Në atë moment e mora në telefon, komunikuam për adresën e shtëpisë. Takova më pas personin në fjalë, shkuam për të parë shtëpinë e shoqëruar nga një mikesha ime.

TCH: Pse shkove e shoqëruar, pate frikë?

Vajza e dhunuar: Thjesht nga sikleti i herës së parë, ai ishte mashkull i panjohur.

TCH: Në momentin e parë që e pe atë, cila ishte ndjesia, çfarë mendove?

Vajza e dhunuar: Nuk më la të dyshoja herën e parë që e pashë. Nuk la asgjë të dyshimtë. Ishte thjesht prezantimi i parë, më pyeti a isha dakord me kushtet e punës për pastrimin e shtëpisë. A e bëja dot, kaq ishte kontakti i parë. Më pas do të takoheshim ditën tjetër për të shkuar për pastrimin e shtëpisë, ndërsa atë ditë gjithçka u mbyll me kaq.

TCH: Rreth çfarë moshe ishte afërsisht personi?

Vajza e dhunuar: Rreth 55 vjeç.

TCH: Ditën tjetër ti shkove vetëm, e pashoqëruar…

Vajza e dhunuar: Po, isha vetëm, por erdhi e më mori ai me makinë, për arsye se nuk e kisha fiksuar tamam adresën e shtëpisë së tij, sepse ishte larg.

TCH: Si ishe veshur atë ditë? Ishte provokuese, i kishe dhënë ti ndonjë shenjë atij, që ai të të ngacmonte?

Vajza e dhunuar: Kjo ishte gjëja e parë që mendova: Nuk duhej të shkoja me veshje provokuese. Kisha veshur pantallona “jeans” të gjata, bluze me mëngë të shkurtra dhe e mbyllur, jo dekolte. Nuk ka pasur ndonjë provokim nga ana ime.

TCH: Çfarë ndodhi ditën e dytë, që ti shkove për t’i pastruar shtëpinë atij personi?

Vajza e dhunuar: Rrugës biseduam për gjëra të përgjithshme, për shkollën, arsyen pse kërkoja punë, pse nuk po kërkoja në profilin tim. Më pyeti pse nuk po e vazhdoja masterin. Ishte më tepër i interesuar për anën time ekonomike. Shkuam te shtëpia, hyri ai i pari brenda. Di që kur hyra, shtëpia ishte e gjitha në errësirë dhe grilat ishin të mbyllura. Hyra dhe u drejtova te dritarja e kuzhinës për ta hapur, por në atë moment ndjeva që u mbull porta kryesore me çelës nga personi në fjalë. Në atë moment më tha të ulesha njëherë, të çlodhesha e të pija diçka, pastaj të filloja nga punët. Aty nisa të dyshoja, thjesht nga ambienti i errët dhe nga mbyllja e derës me çelës. U ulëm dhe nisa të pija diçka.

TCH: Alkool apo ndonjë pije freskuese?

Vajza e dhunuar: Jo ishte pije freskuese. Më pas, ai ishte ulur diku larg meje dhe unë në një tjetër vend, nisi të më pyeste sërish për anën ekonomike, duke më thënë se donte të më ndihmonte. Iu përgjigja që nuk ishte e nevojshme se mund t’ia dilja vet. Do i arrija gjërat ngadalë, por me forcat e mia. Gjatë bisedës nisi të afrohej fizikisht afër meje dhe më tej nisi të më prekte. E pyeta se ç’po bënte, ndërsa ai më tha se thjesht e kishte të nevojshme të bënte diçka më tepër me mua. E ndalova dhe u tërhoqa mbrapsht. Por më pas nisi gjithçka me forcë dhe kundër dëshirës sime. I thoja mos më prek, më thoshte çfarë problemi ke, dua thjesht të më kënaqësh, unë do të të paguaj. Deri në momentin kur pata mundësi të ngrihesha nga divani ku isha ulur. Aty më kapi nga kyçet duke më pamundësuar lëvizjen për shkak të forcës së mashkullit. Më shtyu me forcë për te dhoma e gjumit, përballë me kuzhinën, më shtriu me forcë në krevat dhe nisën veprimet e tjera… Pas 15 minutash rezistim ndaj forcës, duke qenë se e kisha të pamundur t’ia dilja, më erdhi idea ta ktheja ndryshe situatën.

TCH: Si e ktheve situatën?

Vajza e dhunuar: I thashë që jam dakord të bëja çdo gjë që donte ai, i thashë falemnderit që donte të më ndihmonte. Unë vërtet kam nevojë për ato lekë për të vazhduar masterin, do të të lë të bësh ç’të duash. Më dha kohë për t’u menduar për 30 minuta, por i thashë që nuk ishte e mjaftueshme, sepse në atë gjendje që isha nuk mund t’ia plotësoja qejfin. Fillimisht duhej të isha unë e qetë me veten time. Më tha ok, por më vuri kusht që nëse doja të largohesha duhej ta puthja më parë. Vijoi edhe pak situata e puthjeve dhe ledhatimeve nga ana e tij, edhe pse unë isha si e frikësuar, më pas biseduam se kur do të takoheshin përsëri, e i thashë diku nga dreka, pasi ishte mëngjes kur kisha shkuar atje, ora 9. Ai e dinte se ku banoja unë dhe i thashë që do vija nga ora 13:30.

TCH: Dmth ti arrite ta bindësh që do të kishte një lidhje mes ju të dyve. Vetëm në këtë mënyrë arrite të shpëtosh?

Vajza e dhunuar: Po, ishte e vetmja mënyrë. Ai ndaloi së bëri gjërat me forcë dhe në njëfarë mënyre e binda që do të kthehesha vërtet në drekë për t’i plotësuar dëshirat. Po e falënderoja aq shumë që donte të më ndihmonte ekonomikisht, sa që u bind se do të kthehesha, madje edhe me xhestin e të lejuarit që të më puthte, për të mos shkuar më tej. Këmbënguli për të më çuar në shtëpi, por i thashë të më çonte deri te stacioni i autobusit se më pas ikja me autobus. Edhe deri atje vazhduan prekjet dhe fërkimet kundër dëshirës sime, pasi justifikohesha që nuk isha mirë e po dridhesha.

TCH: Çfarë bëre ti, more autobusin për të ikur në shtëpinë tënde?

Vajza e dhunuar: Po, hipa në autobus por nuk ika në shtëpi. I telefonova mikeshës që më kishte shoqëruar një ditë më parë, i tregova atë që më kishte ndodhur. Zbrita nga autobusi teksa më priste ajo. Aty më ranë edhe të fiktit, më ndihmoi ajo e më çoi te shtëpia e saj sa u qetësova. Pastaj nga dreka nisën mesazhet nga ana e tij. Kishte ardhur të më merrte afër banesës sime. Mesazhet ishin nga më të ndryshmet, por edhe ‘pse po vjen’.

TCH: Ky person kishte një familje, ishte i martuar?

Vajza e dhunuar: Nga kontaktet e para më tha që kishte një familje, por unë nuk ia pashë. Më tha që gruan e kishte në spital, gjë që ma komunikoi ditën e parë, dhe më tha se do të vinte ditën tjetër, por në fakt nuk erdhi. Më tha që kishte edhe 3 çuna, por që realisht nuk i pashë.

TCH: A kishe frikë kur ai vazhdonte të të dërgonte mesazhe në telefon?

Vajza e dhunuar: Po, frika vazhdonte, kjo edhe për faktin që ai dinte se ku banoja unë. Kisha frikë se  Kisha frikë se çfarë mund të më ndodhte kur të dilja nga shtëpia, sepse nuk do rrija gjithë kohën e mbyllur.

TCH: E denoncove ti këtë personin në polici?

Vajza e dhunuar: Pasi kontaktova me një mikun tim, që mund të më ndihmonte, shkova në rajon dhe e denoncova. Dhashë deklaratën atë ditë kur ndodhi ngjarja, pastaj ditën tjetër bëra denoncimin e plotë.

TCH: A u arrestua ky person, u mor ndonjë masë ndaj tij?

Vajza e dhunuar: Me aq sa më kanë kontaktuar oficerët e rajonit, për momentin ai ishte duke u fshehur dhe nuk gjendej në shtëpinë e tij. Më pas nuk e di.

TCH: Ka vazhduar ndonjë proces gjyqësor?

Vajza e dhunuar: Ka vazhduar deri kur më thirrën në Prokurori. Kaloi çështja nga rajoni në Prokurori, ku duhej të jepja sërish deklaratën më me detaje. Më pyetën nëse do të vazhdoja apo do ta lija këtu. Më thanë se nëse do ta vazhdoja në rrugë gjyqësore, kjo do të bëhej publike.

TCH: Ti çfarë ke zgjedhur, ta vazhdosh këtë betejë?

Vajza e dhunuar: Zgjodha, meqë është mbyllur si çështje, të tërhiqesha, që të mos vazhdonte në rrugë gjyqësore, për arsye se më kontaktoi një i afërm i tij dhe më kërkoi falje në emër të tij. Madje është takuar edhe me vëllain tim, duke qenë se prindërve nuk u kam treguar. Vëllai është personi i vetëm nga familja, që është në dijeni të ngjarjes.

TCH: Të mjaftoi kjo falje, që ti ta falësh atë person?

Vajza e dhunuar: Jo se më mjafton, por thjesht doja të isha e qetë me veten time. Kjo ka qenë arsyeja kryesore përse e fala atë, jo se më erdhi keq për atë.

TCH: Kishe frikë se mos përhapej si lajm?

Vajza e dhunuar: Po, edhe kjo është. Në momentin që Prokuroria më tha këtë u stepa, duke qenë se Shqipëria është një vend i mbushur me paragjykime. Për t’i shpëtuar këtyre u tërhoqa kur ma thanë prokurorët.

TCH: E mendon ndonjëherë që mund të kesh bërë gabim që je tërhequr, sepse ky person mund të abuzojë me femra të tjera siç abuzoi me ty?

Vajza e dhunuar: Po, e mendoj edhe këtë, por thjesht nuk doja që të merrej vesh. Nuk doja që lajmi të shkonte deri te prindërit e mi në radhë të parë, nuk doja që dikush të më shihte në rrugë e të ma bënte me gisht. Shumë pak persona e dinë dhe janë të afërm të mi.

TCH: Këto persona që e dinë, si janë sjellë me ty? Të kanë paragjykuar, apo të kanë gjykuar keq, apo të kanë dhënë kurajo?

Vajza e dhunuar: Jo, ata pak që e dinë më kanë qëndruar shumë, shumë afër. Pavarësisht gjërave që kanë ndodhur, i pari që e mori vesh ishte një shoku im, që ia di vërtet për falemnderit që më ka qëndruar pranë. Sigurisht pas mikeshës, që e telefonova që në momentin e ngjarjes. Edhe ajo, duke qenë në dijeni të të gjithë ngjarjes, më ka mbështetur jashtë mase. Edhe vëllai, i cili e mori vesh së fundi, më ka mbështetur dhe s’ka pasur paragjykime. Por këta janë njerëz të afërm dhe s’kish si të më paragjykonin, por nëse do të merrej vesh nga persona të tjerë ekzistonte frika se çdo thonin kur të dilja nga Prokuroria, kur të dilja në gjyq.

TCH: A je kontaktuar së fundmi nga ky person?

Vajza e dhunuar: Nga personi në fjalë jo, por pasi tërhoqa denoncimin dhe mbylljes së çështjes në Prokurori, më kanë thirrur në rajonin ku bëra denoncimin – në një moment kur ende nuk ishin në dijeni të tërheqjes së denoncimit, – për një ballafaqim me personin, të cilin e kishin kapur. Kjo ndodhi pasi deri në momentin e tërheqjes ai fshihej nga policia dhe, vetëm kur mori vesh që nuk kishte denoncim ndaj tij, ai doli përsëri i lirë dhe policët e rajonit e kishin kapur.

TCH: Cila ishte ndjesia jote e parë, kur e pe në rajonin e policisë, në komisariat?

Vajza e dhunuar: U ktheva pas në kohë, m’u kthye pas e gjithë ngjarja. Për një minutë përjetova sërish atë frikën dhe emocionet e forta, pavarësisht se ishte pas hekurave. Nga fytyra e tij pata sërish frikë dhe për një moment mendova se kisha bërë gabim që e tërhoqa denoncimin. Mendova se kur të dalë nga aty mund të ndodhte e njëjta gjë përsëri, duke qenë se numrin e ka dhe banesën e di. Mbase do të donte edhe të hakmerreshe përse e denoncova. Për pak minuta u frikësova prapë, nuk e di si ta përshkruaj.

TCH: Tani që je edhe vet një femër e dhunuar, a mendon se femra të tjera që bien pre e dhunës seksuale joshin meshkujt? Janë ato që çojnë në këtë fenomen?

Vajza e dhunuar: Nuk mund t’i përgjithësoj të gjitha, por nuk besoj se ka ndonjë femër që ka dëshirë të jetë e dhunuar, sepse jam femër vet dhe nuk do doja kurrë të më ndodhte sërish ajo që më ndodhi. Janë momente që, pavarësisht se mund të kalojnë muaj e vite, do të ngelen gjithmonë në kujtesë dhe do të më kthehen pas kur të dëgjoj mbi një situatë të ngjashme. Do e ndiej përsëri atë tmerr apo dhimbje. Nuk besoj se ka ndonjë femër që ta provokojë vet situatën për të qenë një femër e dhunuar seksualisht, pa dëshirën e saj.

Top Channel