Bushati për BBC: Me Serbinë të zvogëlojmë dallimet

03/11/2014 00:00

Mediat botërore vijojnë të komentojnë atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit më 14 tetor, duke e venë theksin në komplikimet që morën më pas marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë.

I ftuar në studiot e BBC në Londër, në emisionin ‘Global’, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati deklaroi se Shqipëria është e vendosur për të hapur një kapitull të ri në rajon dhe në marrëdhëniet me Serbinë.

Si qeveri, theksoi numri një i diplomacisë shqiptare, i kemi dënuar provokimet, dhunën dhe ngjarjet që shoqëruan ndeshjen e futbollit, para, gjatë dhe pas saj.

Bushati u pyet nga gazetari i BBC nëse ky incident, me tensione të tilla të hapura që u shfaqën qartë në të gjithë botën, mund të dëmtojë aspiratat e të dy palëve për t’u bashkuar me BE-në.

“Kjo është e vërtetë dhe në qoftë se mund të shtoj disa doza cinizmi, do të thosha se vetëm UEFA mori 200.000 euro nga kjo mosmarrëveshje ndërmjet ekipeve tona kombëtare. Unë besoj se, sipas rregullave, është vendi pritës, në këtë rast Serbia, i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe ne jemi më se të gatshëm të punojmë së bashku. Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, ky është një mësim i mirë për të dyja vendet, që ato të punojnë së bashku për të zvogëluar dallimet, për projekte konkrete dhe për të avancuar në rrugën e integrimit drejt BE-së”, u përgjigj Bushati.

Drejtuesi i emisionit ‘Global’ e pyeti gjithashtu ministrin e Jashtëm nëse do të realizohet vizita e shtyrë e kryeministrit Rama në Beograd, apo ka ende dyshime për këtë.

“Ne jemi shumë të vendosur që ta kryejmë këtë vizitë, edhe pas incidenteve të Beogradit. Ka pasur një telefonatë mes dy kryeministrave, gjatë të cilës ka pasur një mosmarrëveshje mbi ngjarjet që shoqëruan ndeshjen, por nga ana tjetër ka pasur marrëveshje sa i takon kryerjes së kësaj vizite, e cila do të zhvillohet javën që vjen. Vizita do të kryhet. Shqipëria dhe Serbia janë dy vende kyçe të Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi kuptuar, sidomos pas procesit të Berlinit, Konferencës së Berlinit që u zhvillua në gusht të këtij viti, se ekzistojnë shumë ngjashmëri mes nesh, pavarësisht dallimeve”, nënvizoi Bushati.

Minitri Bushati ndodhet në Londër për të mbajtur një leksion në London School of Economist, ku një javë më parë ishte i ftuar kryeministri i Serbisë, Vuçiç.

Top Channel