Detajet e reformës në arsimin parauniversitar

03/11/2014 00:00

Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Lindita Nikolla ishte e ftuar në edicionin qendror informativ të Top Channel për të sqaruar disa detaje nga reforma në arsimin parauniversitar.

Ilir Paço: Nga raporti kanë rezultuar se në 13 Drejtoritë Arsimore të vendit ka 1984 mësues pa arsimin përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit, si do të procedohet me ta?

Ministrja Nikolla: Ndërhyrja që do bëjmë në këtë reformë tërësore niset me dallimin mes mësuesve pa arsimin përkatës dhe mësuesve jashtë profilit. Kemi ndërhyrë me një udhëzim për të ulur normën e këtyre mësuesve që të shkojnë në profilin e tyre. Brenda dhjetorit do të ofrojmë testimin për të gjithë mësuesit që plotësojnë kushtet ligjore për të plotësuar vendet që krijohen nga largimi i mësuesve pa arsimin përkatës.

Ilir Paço: Ju thatë që të gjithë mësuesit, pra rreth 33 mijë mësues në rang vendi do t’i nënshtrohen provimit kombëtar brenda muajit dhjetor e më pas do të ketë një rankim. Çdo të thotë? Mund të ketë largime nga sistemi të këtyre mësuesve që janë pa arsimin përkatës apo jashtë profilit  në janar?

Ministrja Nikolla: Brenda dhjetorit do të mundësohet zëvendësimi i mësuesve që janë jashtë arsimit përkatës dhe për t’u rankuar sipas performancës. Deri në maj do na duhet të dimë edhe cilësinë e gjithë mësuesve që janë në sistem për të mundësuar një portofol kreditesh të tyre pas disa testimesh të udhëhequra nga një komision profesionistësh.

Ilir Paço: Si do të veprohet për punësimin e mësuesve  në të ardhmen? Si do të bëhet licensimi i tyre dhe si do të shmangen ndërhyrjet klienteliste nga politika apo nga afera të tjera?

Ministrja Nikolla: Synimi ynë është të zgjedhim sipas meritës nëpërmjet proceseve reale trajnuese dhe çertifikimit të performancës dhe dijes që kanë.

Ilir Paço: Sa të mbrojtur do të jenë këta mësues nga ndryshimet në politikë?

Ministrja Nikolla: Do jenë të mbrojtur aq sa mbrojtje u siguron procesi që është sipas meritës dhe është efiçent kudo.

Ilir Paço: 1184 mësues edhe pse punojnë me orare të kufizuara ata paguhen nga shteti. A do të detyrohen të kthejnë pas pagat apo ndonjë lloj penalizimi tjetër?

Ministrja Nikolla: Është norma e shumë e lartë orëve që janë marrë si pagesa dhe shumatorja rezulton me ato shifra për të paguajtur të njëtin numër mësuesish në sistem. Kemi ndërhyrë për të mësuar që asnjë qindrakë e parave të taksapaguesve shqiptarë të mos shkojë në xhepat e askujt që nuk ushtron profesionin dhe punë për këtë. Me buxhetin e ri dhe me reformën po adresojmë këtë për programet e edukimit fizik dhe sportin që kemi futur në shkollat shqiptare.

Ilir Paço: Kur mendoni se do të përfundojë reforma në arsimin e parauniveristar?

Ministrja Nikolla: Është një moment i vështirë për të dhënë kohën. Ajo që është e rëndësishme është jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund. Lidhet me cilësinë e mësuesve dhe me kurrikulën e re që po fusim në arsim edhe me reformën që do të bëjmë me tekstet shkollore.

Ilir Paço: Po për alterteksin çfarë po bëhet?

Ministrja Nikolla: Po punojmë për të mësuar që vitin e ardhshëm që në klasën e parë, gjashtë dhe vitin e parë në shkollën e mesme të kemi tekste bashkëkohore dhe do të ketë vetëm një tekst pa cënuar parimet e shkollës shqiptare.

Top Channel