Në “shtëpinë” e Fan Nolit

03/11/2014 00:00

“Pas kësaj rruge të shkatërruar mes pyjesh ka jetë. Ka ende banorë, që
përpiqen të sfidojnë harresën në një fshat, që historinë e ka pjesë të
tijën. Që shpresojnë, pasi deri më sot vëmendja i ka lënë tërësisht
mënjanë. A thua se qyteza e Fan Nolit nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e
së njëjtës hartë”.

Qyteza ngrihet mëse 220 kilometra nga Tirana mes majave të Kolonjës, ku historia shkrihet me natyrën ende të virgjër e të paprekur nga barbaria 20 e ca vjeçare. Të udhëtosh drejt Qytezës është si të udhëtosh në drejtim të paditur, si pasojë e mungesës tërësore të tabelave orientuese dhe shumë rrugëve që duken nga shkojnë, por nuk dihet se ku përfundojnë. Ajo për në Qytezë vijon mes pyjeve, e duket sikur rrotullohen në vetëvete për të mos dalë askund.

Pas një kredhje të gjatë mes shtigjeve të shumta shfaqet Qyteza.

Fshati i Fan Nolit duket më shumë se i heshtur. Sot kanë mbetur vetëm një dorë shtëpish, me jo më shumë se 3 apo katër familje. Nga ky fshat, banorët janë larguar shpesh gjatë historisë së tij, por ishte e sotmja e pas viteve ’90, ajo që ia mpiu përfundimisht frymëmarrjet.

Në fakt, Fan Noli është lindur në vitin 1882 në Trakë, në një fshat që quhej Qytezë, apo në turqisht Ibrik Tepe, siç njihet edhe sot. Shume herë është debatuar mbi origjinën e Nolit, por ka qenë vetë ai, që e ka qartësuar lidhjen e tij me Qytezën në Kolonjë përmes letrave, ku ai e ka thënë prerazi se fisi i tij vjen nga ky fshat. Letra që ruhen ende dhe sot si dokumenta të rralla, e që i japin një tjetër dimension këtyre rrugicave kaq të panjohura…

“Fshati ynë përbëhet nga dy lagje, Sulas dhe Karbunaras, ndërsa Fan Noli ka lindur në lagjen Karbunaras. Kanë qenë 400 shtëpi, ka pasur kishë, ka pasur edhe manastir. Kisha është atje tej, manastiri është lart, në vendin që njihet si kodër. Ne kemi folur vazhdimisht, kushdo që ka ardhur këto që po iu them sot juve ua kam thënë dhe atyre, edhe gjë nuk po bëhet”.

Karbunarasi, lagjia nga ku – sipas banorëve – vjen familja e Nolit, sot është thjesht një fushë e zbraztë e asgjë më shumë. Qazimi tregon thuajse ethshëm atë tokë, nga ku vjen krenaria e të gjithë banorëve, e ku dikur kishte jetë e sot ka vetëm grumbuj gurësh.

E ndiejnë mungesën e njerëzve e zërave, që dikur mbushnin fshatin; e kohëve kur Qytezës i ndihej zëri… Banorëve u peshon shumë kjo pjesë. Sot vendin e ka nostalgjia për të shkuarën dhe heshtja për të tashmen.

Ka mbetur historike vizita e Fan Nolit në Kolonjë, në vitin 1923, ku si kandidat i Partisë Liberale kaloi në këto anë. Sipas kujtimeve të bashkudhëtarëve të kohës, Fan Noli pati mbetur i mahnitur nga zona e natyra e saj, ndaj edhe ish shprehur se një ditë do të rikthehej…

“Sa vend i bukur. Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”.

Sot pasardhësit e Nolit jetojnë më shumë se të braktisur, pa mbështetje, pa investime, pa asgjë që do të shërbente për të mbajtur gjallë këtë fshat. Të mbeturit çapiten për të mbledhur, përmes bujqësisë dhe blegtorisë, të ardhura të pakta, sa për të shtyrë një jetë më shumë se të vështirë.

“Mungesa e shkollës është një ndër arsyet kryesore, që unë jam shpërngulur. Pasi edhe kur jetoja më përpara, duhej të më shoqëronin gjyshërit e mi për të shkuar në shkollë. Është e pamundur për të jetuar, mungon një ambulancë, mungon urgjenca dhe me të vërtet janë kushte që nuk mund të jetohet. Jetohet me të ardhura nga bujqësia, me mbjelljen e frutave, perimeve, me asgjë tjetër. Janë më të vërtetë kushte ekonomike shumë, shumë të vështira. Duhet që, të paktën, dikush të verë dorë qoftë edhe sa për të rregulluar infrastrukturën, që ky fshat të ketë mundësi për një të ardhme”, thotë Arnida Dauti.

Një pjesë e shtëpive kanë zënë poshtë vetëveten… Por ka edhe banorë, që kanë nisur të rregullojnë banesat e dikurshme, me shpresën se diçka do të mund të lëvizte në fshat, të paktën sa i takon elementëve bazë; rrugës, ujit dhe energjisë, që duket më e lodhur se qiriri. Nga këta banorë do mund të rilindtë jeta, ashtu siç humbi vite më parë, ku të gjithë zgjidhjen e vetme panë largimin. Kurbet dikur e kurbet edhe sot, kur historia duhet të kishte ndryshuar.

“Edhe ky kalldrëm që është bërë, e kemi bërë vetë neve, një fshatari ynë e ka bërë, një kushëriri jonë Muhamet Banushi. Janë duart e atij këtu në këtë rrugë, deri në fund të fshatit. Pa ujë kemi mbetur, njeri nuk përpiqet, ka qenë kryeplak ky, kryeplak ai tjetri, edhe ata të tjerët, aprovoheshin fondet por nuk vinin që të bëhesh ajo punë, se ku vinte ai fond nuk e di”, thotë Engjëll Hasani.

Banorët janë mikpritës, vështirësitë nuk iua zbehin zemrën e madhe e dëshirën për të pritur siç duhet miqtë.

Legjenda e këmbanës së manastirit me 12 qoshe, si 12 muajt e vitit, e që kur binte dëgjohej deri në Janinë, rrotullohet pas makinës në largim, humbet bashkë me të. Nata e bën edhe më të vështirë zbritjen rrugëve të thella.

Pas fshati humbet, ashtu siç humbin ëndrrat, por Qyteza nuk është e tillë, ajo pret ende aty.

Top Channel