Mogherini e nis punën me “EULEX”

03/11/2014 00:00

Takimi i parë për shefen e re të diplomacisë europiane, Federica Mogherini, ishte mbi skandalin e korrupsionit në misionin më të madh të jashtëm të BE-së për krizat, EULEX.

Ndërsa javën e kaluar zëdhënsja e Ashton shprehej se “misioni po vepron brenda mandatit, po përdor mjetet në dispozicion dhe nuk ka tejkaluar asnjë kufi”, e njëjta zëdhënëse e pyetur sot, konfirmoi shqetësimin e Parlamentit Europian për të biseduar me dyer të mbyllura me dy përfaqësuesit e shërbimit diplomatik të BE-së, duke premtuar njëhkohësisht transparencë maksimale për këtë çështje të ndjeshme.

“Ka në të vërtetë një takim në Parlamentin Europian për këtë çështje dhe Shërbimi i Jashtëm i BE-së do të përfaqësohet nga Kenneth Dean, shefe e Komandës për Operacionet Civile, Planifikimit dhe Aftësisë së Sjelljes, si dhe drejtori për Ballkanin Perëndimor Fernando Gentilini. Siç e dini mjaft mirë, kjo është një çështje tepër e ndjeshme, por mund t’ju them qëndrimin e Përfaqësueses së re të Lartë të BE-së. Takimi i saj i parë sot ishte mbi këtë çështje dhe ajo e bëri mjaft të qartë se kërkon ta trajtojë atë me transparencë maksimale, pasi beson se është në interesin tonë që të qartësohet gjithçka përfshin ky rast dhe, për momentin, ajo po shikon për të gjitha mjetet e mundshme për t’u përballur me këtë rast me transparencë në mënyrë të tillë që të ruhet kredibiliteti i misionit tonë”, deklaroi Koçijançiç.

“Fernando Gentilini është përgjegjës për këtë kaos në Kosovë”, vlerësonte për “EU Observer” prokurorja britanike e pezulluar nga EULEX, Maria Bamieh, e cila akuzon publikisht për korrupsion dy kolegët e saj, prokuroren çeke Novotnas dhe gjykatësin italian Florit.

Përveç Bamieh, edhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek, si dhe kreu i delegacionit për Serbinë, Eduard Kukan kërkojnë që “EULEX të hetohet thelbësisht nga një organ i jashtëm dhe i pavarur”, çfarë do mund të sjellë gjithashtu një “rikonfigurim të këtij misioni dhe mandatit” të tij në Kosovë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel