Thellohet kriza në Ukrainë

03/11/2014 00:00

Kriza në Ukrainë thellohet pas votimeve në Lindje të saj. Një rebel me profesion ish-elektriçist, Alexander Zakharcenko, fitoi lehtësisht zgjedhjet dhe shpallet kreu i “Republikes Popullore” të Donjeckut, ndërsa Igor Plotnisky u zgjodh kryetar në të vetëshpallurën “Republikë” e Luhanskut.

Por këto rezultate e kanë agravuar situatën dhe kanë rritur tensionet me qeverinë e Kievit. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko i vlerësoi ato si farsë, të kryera nën nënshtrimin e plotë të armatimeve dhe tankeve. Mirëpo Roman Lyagin, zyrtari separatist që shpalli rezultatin e zgjedhjeve, u shpreh:

“Këto vota shprehin vullnetin tonë. Kievi duhet të mësohet me idenë se pjesa lindore nuk i përket më asaj, por është një zonë autonome. Qeveria e tyre nuk duhet ta mohojë më këtë fakt”, tha rebeli rus.

Por, kontestimet duket se nuk kanë ardhur vetëm nga ukrainasit. Kievi dhe qeveritë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, thonë se zgjedhjet e shkelën në mënyrë absolute marrëveshjen e arritur mes Rusisë dhe Ukrainës në kryeqytetin bjellorus të Minskut.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, i cilësoi zgjedhjet si jolegjitime, si dhe pengesë për paqen mes vendeve. Gjithashtu edhe zëra të tjerë perëndimorë, duke i bërë vërejtje Vladimir Putinit, i kanë bërë thirrje atij që, së bashku me trupat pro-ruse, ta njohin unitetin e Ukrainës.

Mirëpo fjala e parë e Putinit për zgjedhjet e Donjeckut e Luhanskut pritet të vijë ditën e martë, gjatë një ceremonie zyrtare të organizuar në Moskë. Përfaqësues të Unionit Europian i mëshuan idesë se zhvillimet aktuale në Lindje të Ukrainës priten të sjellin sanksione të mëtejshme mbi Rusinë.

Top Channel