Me komente të hidhura e ka pritur shtypi grek lajmin e daljes në qarkullim të librit të ri të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, për shkak të deklaratave të tij në lidhje me anëtarësimin e Greqisë në BE.

Libri me titull “Aus Sorge um Europa” (I shqetësuar për Europën) do të jetë në librari prej të mërkurës, por në gazetat gjermane qarkullojnë pjesë të tij.

Midis të tjerash, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” publikon një prej deklaratave ku Kohl ironizon Schroeder që lejoi hyrjen e Greqisë në Eurozone në 2001 dhe faktin pse ai ra dakord që në 2003 Gjermania dhe Franca, me president Jacques Chirac, të mos respektonin Paktin e Stabilitetit pasi dy vendet kishin defiçit vjetor më të lartë se 3%.

Babai i bashkimit të dy Gjermanive thekson se këto ishin dy nga gabimet më serioze në vitet e fundit të BE, duke i cilësuar si një turp për politikën gjermane. Kohl, që kritikon veçanërisht udhëheqësit perëndimore për izolimin e Moskës gjatë krizës së Ukrahinës, thekson arsyet përse ka shkruar këtë libër.

“Unë kam parë kohë të mira dhe të këqija. Dhe kurrë nuk kam pushuar së besuari tek Europa. Gjithmonë kam qenë një bindës dhe nje europian i bindur dhe gjithmonë do të luftoj për Europën, për paqen dhe lirinë”, thotë Kohl.

Libri i ri u prezantua në Frankfurt në prezencën edhe të kreut të ri të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

“Jemi bërë viktima të një përshkrimi statistikor të rreme, sikundër kanë pretenduar performancat e Greqisë dhe siç thuhet tani në gjuhën gjermane. Ky gabim nuk do të ndodhë përsëri, sepse i kemi dhënë Zyrës Statistikore Europiane të drejtën për të vëzhguar drejtpërdrejt buxhetet kombëtare”, deklaroi Juncker.

Disa muaj më parë edhe kancelarja Merkel kishte deklaruar se Greqia nuk duhet të kishte hyrë në zonën e euros në vitin 2001, duke fajësuar edhe ajo paraardhësin e saj Gerhard Schroeder.

Ndërsa shtypi gjerman në orët e fundit i kundërvihet asaj duke e kritikuar se Greqia nuk është tashmë një histori suksesi siç pretendon, pasi programet e imponuara prej kreditorëve e kanë çuar atë në gjendje më të keqe ekonomike se para krizës.

Top Channel