“Peshmergat” dhe rebelët sirianë rrethojnë Kobanin

04/11/2014 00:00

Luftëtarët kurdë të Irakut dhe kryengritësit e moderuar sirianë bombarduan pozicionet e ISIS në qytetin e Kobanit gjatë ditës së hënë, transmeton “Reuters”.

Mbërritja në qytetin e Kobanit e luftëtarëve irakianë “Peshmerga” dhe e luftëtarëve të tjerë gjatë ditëve të fundit ka përshkallëzuar përpjekjet për të mbrojtur qytetin, pas javëve sulmesh ajrore të udhëhequra nga SHBA-ja. Vetëm gjatë ditës së diel dhe të hënë, ushtria amerikane tha se ka kryer 5 sulme në Siri dhe 9 në Irak.

Një dëshmitar ka thënë për “Reuters” se luftëtarët “Peshmerga” kanë bashkuar forcat me kryengritësit e moderuar sirianë dhe kanë bombarduar pozicionet e ISIS në perëndim të qytetit të Kobanit.

“Mbërritja e luftëtarëve të pajisur me armatime të rënda ka qenë një përforcim i rëndësishëm për ne. Në këto momente po zhvillohen luftime të ashpra në frontin perëndimor, por luftime ka edhe në lindje dhe në jug të qytetit”, tha një prej drejtuesve të luftëtarëve kurdë.

Rreth 150 luftëtarë kurdë të Irakut të pajisur me armë dhe municione kaluan në Kobani të premten nga Turqia.

Kobani po kthehet në provë për të testuar aftësitë e koalicionit të
udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të ndaluar përparimin e Shtetit
Islamik.

Beteja për Kobanin ka larguar vëmendjen nga territore të tjera të
rëndësishme në Siri, ku vetëm në dy javët e fundit ISIS mori nën
kontroll dy zona të gazit. Vetëm një javë më parë militantët e Shtetit
Islamik ekzekutuan më shumë se 300 anëtarë të një fisi sunit që guxuan
t’i kundërshtonin ata, pasi konfiskuan një fshat në luginën e Eufratit,
në perëndim të Bagdadit. 

 

Top Channel