Poroshenko kërcënon rebelët në Lindje; thërret Sigurinë Kombëtare

04/11/2014 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko thërriti në një mbledhje urgjente shefat e sigurisë së vendit pas proceseve të votimit në Lindje të Ukrainës që Kievi dhe Perëndimi nuk i njeh.

Në një dalje televizive Poroshenko tha se zgjedhjet minuan gjithë procesin e paqes dhe propozoi shfuqizimin e një ligji që i garanton statusin special Donetskut dhe Luhanskun, si pjesë e marrëveshjes së paqes të arritur në Minsk të Bjellorusisë.

Poroshenko i cilësoi zgjedhjet një farsë e ngritur mbi tytat e armëve që nuk ka asnjë lidhje me një proces të ndershëm votimi. Ai tha se Ukraina nuk do të njohë kurrë procesin e votimit dhe as dy republikat e vetshpallura pas këtij procesi.

“Ne i treguam banorëve të Donetskut dhe Luhanskut, ashtu si edhe gjithë botës, se jemi të sinqertë në dëshirën tonë për të gjetur një zgjidhje përmes një procesi politik. Militantët e shkelmuan këtë mundësi”, tha presidenti ukrainas.

Që prej 5 shtatorit në fuqi është një armëpushim i brishtë i arritur në Minsk mes Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Europian. Por luftimet sporadike nuk janë ndërprerë dhe palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar palër ranë dakort për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në dy rajonet problematike, por sipas ligjeve dhe Kushtetutës ukrainase.

Dy udhëheqësit të rebelëve pro-rusë u vetëshpallën fitues në zgjedhjet e zhvilluara në Donetsk dhe Luhansk. Një rebel me profesion ish-elektriçist, Alexander Zakharcenko fitoi lehtësisht zgjedhjet dhe shpallet kreu i “Republikes Popullore” të Donjeckut, ndërsa Igor Plotnisky u zgjodh kryetar në të vetëshpallurën “Republikë” e Luhanskut.

Perëndimi e cilëson si të paligjshëm procesin e votimit, por Moska e mbështet atë. Që prej muajit prill rreth 4 mijë persona kanë humbur jetën nga luftimet në Lindje. Kievi akuzon Rusinë për armatosjen e separatistëve, madje edhe për dërgimin e trupave në këto rajone, por Kremlini mohon përfshirjen në të.

Top Channel