Dhëndri vret vjehrrin dhe plagos kunatin

04/11/2014 00:00

Sherri për divorcin mes dy të rinjve ka shkaktuar një të vrarë dhe një
të plagosur në një familje në Korçë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në
fshatin Protopapë të Moglicës, ku dhëndri ka qëlluar për vdekje vjehrrin
dhe kunatin e tij pas ndarjes me të shoqen.

Burimet policore bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në fshatin Protopapë të Komunës së Moglicës, ku Kristian (Gentian) Bajramasi, 34 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri vjehrrin e tij Ylli Shora dhe kunatin Fatmir Shora. Menjëherë pas ngjarjes, familjarët kanë njoftuar Policinë e Korçës rreth këtij krimi dhe autorit të saj, e cila është nisur për në fshatin e thellë malor. Nga të dhënat e para të policisë është mësuar se autori i krimit është dhëndri i viktimës Shora, i cili ishte nisur për në spital.

Nga dëshmitë e mbledhura paraprakisht, policia ka mësuar se fillimisht, Bajramasi kishte shkuar në shtëpinë e vjehrrit me qëllim për të folur për divorcin. Çifti, i cili kishte rreth një vit martuar, i ka treguar 51-vjeçarit se kishin vendosur për t’u ndarë për arsye personale. Por, duke mos pranuar një fakt të tillë, 51-vjeçari ka nisur të debatojë me dhëndrin e tij dhe nuk e ka pranuar këtë ndarje. Në debat mes dhëndrit dhe vjehrrit mësohet se kanë ndërhyrë edhe vëllezërit e nuses, të cilët kanë nisur të konfliktohen me 34-vjeçarin. Sherri mes tyre mësohet se është zhvendosur nga brenda shtëpisë në oborr, kur familja Shora dyshohet se ka tentuar të godasë dhëndrin me grushte dhe shqelma. Në grindje e sipër, autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Ylli Shorës, 51 vjeç, duke e plagosur atë në këmbë, ndërsa një plumb ka dëmtuar lehtë djalin e tij, Fatmir Shora, në pjesën e barkut. Banorë të fshatit kanë treguar se çifti ishte ndarë prej pak kohësh dhe vajza kishte shkuar për të jetuar në kryeqytet çka ka bërë që autori të shkojë në banesën e ish-vjehrrit me pretendimin për të kërkuar sqarime.

Mësohet se menjëherë pas plagosjes së babait dhe të birit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një mjet, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Ndërsa dy të dëmtuarit janë nisur për në spital, por 51-vjeçari, megjithëse ishte i plagosur në këmbë, ka ndërruar jetë pa mbërritur në duart e mjekëve. Mësohet se janë dashur tre orë për ta transportuar atë me autoambulancë për shkak të zonës së largët malore, por ai nuk ka mundur të mbijetojë për shkak se kishte humbur shumë gjak.

Menjëherë pas këtij krimi, Policia e Korçës ka ngritur disa postblloqe për të gjetur dhe për të arrestuar të identifikuarin për këtë krim. Brenda një kohe të shkurtër, policia tha se ka mundur të arrestojë 34-vjeçarin, i cili është marrë në pyetje për motivin e krimit, megjithëse nuk ka pranuar të japë shumë detaje, duke pretenduar se e kishte kryer këtë krim për vetëmbrojtje. Policia tha se gjatë arratisjes, 34-vjeçari ka hedhur armën e krimit. Policia tha se do marrë në pyetje të plagosurit dhe personat e tjerë të pranishëm në këtë krim. Sipas të dhënave, autori dyshohet për vrasje me paramendim, pasi ai ka shkuar i armatosur në familjen e vjehrrit, duke treguar qëllimin e tij për t’i vrarë, pavarësisht se pretendon se e ka kryer këtë krim për vetëmbrojtje.

Top Channel