Liga e Kampionëve, Reali pret Liverpulin, Juves i duhet fitorja

04/11/2014 00:00

Rikthehet sot në mbërmje “Champions League” dhe një nga ndeshjet kryesore është përballja mes Realit të Madridit dhe Liverpulit. Skuadra e Brendan Rodgers do të paraqitet në “Santiago Bernabeu” pasi ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit që ka zhvilluar në të gjitha veprimtaritë, ndërkohë që Reali i Madridit me një fitore përballë Liverpulit mbrëmjen siguron kualifikimin për në fazën tjetër.

Skuadra e Carlo Ancelotit vjen në këtë ndeshje pas 11 fitoresh radhazi, e fundit ajo në kampionat ndaj Granadës 4-0 dhe ky është padyshim një nga momentet më të mira që po kalojnë kampionët në fuqi të Europës. Ndeshja e parë mes tyre e zhvilluar në “Anfield” përfundoi me fitoren 3-0 të madrilenëve, pasi Liverpuli po kalon një moment jo shumë pozitiv edhe në kampionat ku është në vendin e shtatë.

Për ndeshjen e sotme madrilenët kanë në gatishmëri Gareth Bale, i cili  është rikuperuar nga dëmtimi, ndërkohë që mbetet në dyshim mbrojtësi Karvahal. Sa i përket Liverpulit, ata paraqiten pa sulmuesin Daniel Sturridge dhe Mamadu Sakho.

Një tjetër ndeshje e rëndësishme e mbrëmjes së sotme është ajo mes Juventusit dhe grekëve të Olimpiakosit. Në ndeshjen e parë mes tyre kampionët e Italisë u mundën 1-0 në Athinë, ku goli i shqiptarit Kasami rezultoi i mjaftueshëm për suksesin e grekëve.

Olimpiakosi është në kuotën e 6 pikëve pas 3 ndeshjeve, ndërkohë që Juventusi ka një rekord negativ, me një fitore dhe dy humbje në grupin A. Këto, por dhe të gjitha përballjet e tjera të Champions League do të keni mundësinë t’i ndiqni si gjithmonë drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel