Ministria e Brendshme shton 1200 punonjës policie

04/11/2014 00:00

Policia e Shtetit shtohet me 1200 punonjës policie. Sipas të dhënave nga
relacioni që shoqëron projektligjin për buxhetin 2015 vitin që vjen, do
të rriten kapacitetet e Policisë së Shtetit me qëllim që të arrihen
normat europiane të numrit të policëve për 1 mijë banorë.

Objektivat e vendosura nga Ministria e Brendshme për vitin 2015, në argumentimin e kërkesës për buxhetin vjetor 2015, janë: rritja e sigurisë në rrugë, duke ulur në masën 2% numrin e aksidenteve rrugore; uljen e aksidenteve me pasojë vdekjen në 6.2%; uljen e rasteve të përdorimit të mjetit nën efektin e pijeve alkoolike në 2.29%; për tejkalim shpejtësie në 28.4%. Policia ka si objektiv për reduktimin e veprave penale në masën 3% ose 12958 raste, konkretisht: Numri i veprave penale për 100.000 banorë do të reduktohet në 308. Lidhur me zbulueshmërinë e veprave penale policia ka synim të arrijë në 76.5%. Ndërsa për rritjen e sigurisë dhe besimit për policinë është si objektiv shtimi i numrit të telefonatave në 170 000. Një objektiv tjetër është reduktimi i numrit të ankesave në masën 4% për 100,000 banorë ose në 633. Policia ka planifikuar rritjen e operacioneve kundër kultivimit të bimëve narkotike në masën 2%, duke realizuar 165 operacione. Më konkretisht, synohet zvogëlimi i numrit të

bimëve narkotike të kultivuara në masën 15% ose 71160 bimë. Rritje e dukshme fondesh parashikohet për operacionet proaktive që nisen me iniciativën e policisë, të organizuar bazuar në informacionin e ardhur nga policia, duke përdorur metoda shkencore hetimi si përgjimi, filmime, interceptime të bisedave apo komunikimeve në mënyrë direkte ose në distance. Gjithashtu synohet forcimi i luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, armëve e municioneve, mjeteve motorike, veprave të artit e kulturës. Në këtë drejtim është objektiv rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar e rajonal në drejtim të zbulimit të trafiqeve të paligjshme. Synohet rritja nga 4% në 5% e numrit të hetimeve proaktive për veprat penale të trafikimit të personave.

Shpenzimet e personelit

Nga relacioni i projektbuxhetit të vitit 2015, del se numri i punonjësve të administratës do të jetë 87,200, duke reflektuar shtesën prej 1200 punonjësish në Policinë e Shtetit. Por fondi i shpenzimeve të personelit, në total, do të pësojë një ulje nga 5.2% e PBB-së në 2014-n në 5.1% të PBB në 2015. Përveç shtesës në personelin e policisë, janë caktuar fonde edhe për përfundimin e disa projekteve të rëndësishme të ndërtimit dhe rikonstruksionit të ambienteve për Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Rritja e numrit të punonjësve të policisë për çdo 1 mijë banorë, bëhet për arsye se aktualisht, numri i punonjësve të policisë është më i ulët se në gjithë vendet e rajonit. Kjo rritje do të mundësojë krijimin dhe funksionimin e zyrave të pritjes së qytetarëve pranë çdo drejtorie policie qarku. Gjithashtu, synohet përmirësimi i Shërbimit të Gjendjes Civile, nëpërmjet përmirësimit dhe mirëmbajtjes së Rrjetit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe Regjistrit Kombëtar të Adresave. Sipas relacionit, me buxhetin e parashikuar për Ministrinë e Brendshme për vitin 2015, garantohet mbështetja financiare për funksionimin normal të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Gjendjes Civile, Shërbimeve të Emergjencës Civile, si dhe strukturave të tjera në varësi. Në mënyrë të veçantë, synohet mbështetja e reformimit të strukturave të Policisë së Shtetit në kuadër dhe në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji i ri i miratuar për këtë strukturë dhe mbështetja e Policisë së Shtetit, me mjete, pajisje dhe teknologji bashkëkohore. Gjatë këtyre ditëve, Policia e Shtetit është atakuar për shtrirjen e rolit të saj në sektorë të tjerë. Ndërtimi e rikonstruksioni i objekteve të Departamentit të Sigurisë (Reparti 712 Tiranë), do të përfundojë brenda vitit 2015 me fondet e parashikuara në këtë buxhet. Ndërkaq, rritja e personelit do të mundësojë përshtatjen e trupave të policisë me detyrat e reja siç janë ndjekja e çështjeve të tilla si vjedhja e energjisë elektrike apo ndërtimet e paligjshme.

Top Channel